Të dyshuarve për ‘zjarrvënie’ në Babush të Ferizajt, u caktohet paraburgimi

Tre persona të dyshuar për “zjarrvënie”, më 6 korrik të këtij viti në Babush të Ferizajt, me urdhër të gjykatës janë dërguar në paraburgim prej 30 ditësh për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se me datë 06.07.2020, në fshatin Babush-Ferizaj në ora 05:03 minuta është shkaktuar një rast i zjarrvënies, ku si pasojë e këtij zjarri janë dëmtuar një lokal dhe katër shtëpi që kanë qenë të ndërtuara mbi këtë objekt.

Sipas PK-së, dëmi material i shkaktuar si pasojë e zjarrit është vlerësuar të jetë shumë i madh.

Policia e Kosovës, konkretisht njësitet e hetimeve të stacionit policor në Ferizaj kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë ndermarr veprime profesionale policore në drejtim të mbledhjes së dëshmive relevante dhe hetimin e rastit, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e personave të involvuar në këtë incident kriminal.

Pas realizimit të masave intenzive hetimore dhe ndermarjen e procedurave ligjore, është ngritur dyshim i bazuar lidhur me përfshirjen e disa personave të dyshuar në kryerjen e kësaj vepre dhe me datë 20.08.2020, me urdhëresë të gjykatës kompetent në Ferizaj, është realizuar një bastisje/kontroll në fshatin Grashticë të Prishtinës, në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit me që rast janë janë siguruar edhe prova relevante lidhur me rastin.

Lidhur me veprimet policore është informuar edhe Drejtoria rajonale të Policisë në Prishtinë.

“Tre të dyshuar deri më tani dhe të arrestuar nga Policia e Kosovës, me urdher të Gjykatës kompetente janë derguar në paraburgim prej 30 ditësh për procedura të më tejme ligjore”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative dhe zbulimin e veprave penale të të gjitha llojeve, përderisa veprime ligjore do të ndermerren në vazhdimësi ndaj secilit kryes të këtyre veprimeve të kundërligjshme.