Të arrestuarit në veri mbërrijnë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë të Veriut
Të dyshuarit për sulm ndaj zyrtarëve policorë në veri, dërgohen në gjykatë
Ivana Kovacevic, nëna e Lazar Kovacevic, i riu i cili është arrestuar së bashku me tre të rinjë tjerë nën dyshimin se e kanë ofenduar pastaj sulmuar zyrtarë policorë, tha për KALLXO.com se nuk ka besim të sistemi i drejtësisë për këtë rast.
“Nuk e di se çfarë të presë nga kjo situatë, sepse nuk kam fare besim tek sistemi i drejtësisë” – tha Kovacevic.
Nëna e 19-vjeçarit tha se Policia i ka rrahur të arrestuarit.
“Do të provojmë t’i përdorim të gjitha rrugët ligjore. Policët po i rrahin fëmijët dhe i kemi parë videot. Ata po i keqtrajtojnë fëmijët dhe ata po kërkojnë ndihmë nga ne” – tha tutje nëna e të arrestuarit.
Ajo përfundoi se vet nuk ka ftuar njerëz të tjerë për protestë, por ka dalur në protestë për fëmijën e saj.
“Ne nuk i kemi thirrë, këta kanë ardhë me protestu për fëmijët e tyre” – përfundoi Kovacevic.
Më 10.09.2024, qytetarët me inicialet R. N., 20 vjeçar, L. K., 19 vjeçar, V. J., 21 vjeçar dhe M. M., 19 vjeçar, të nacionalitetit serb u arrestuan nën dyshimet se kanë ofenduar, pastaj sulmuar zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
E sot, më 11.09.2024, nga mëngjesi qytetarë serbë u mblodhën afër stacionit policor në veri me thirrjen për lirimin e katër të arrestuarve të cilët dyshohen se kanë ofenduar e pastaj sulmuar zyrtarët policorë.
“Lirojini fëmijët” ishte thirrja e protestuesve serbë të cilët protestuan afër stacionit policor në veri sot më 11.09.2024.
Katër të arrestuartit në veri rreth orës 14:00, kanë mbërritur para Gjykatës Themelore në Mitrovicë të Veriut.
Ekipi i KALLXO.com është në vend të ngjarjes dhe ka parë se protestuesit janë të grumbulluar dhe të drejtuar para Gjykatës Themelore në Mitrovicë të Veriut, pasi ndaj të arrestuarve është duke u zhvilluar seancë.