
Vendi i ngjarjes nga plagosja e vrasja në Aktash, Foto Adelina Ahmeti/KALLXO.com
Të dyshuarit për manipulim të provave në ngjarjen e rëndë në Aktash i vazhdohet paraburgimi
Gjykata Themelore e Prishtinës i ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Vesel Bunjakut, si i dyshuar se ka manipuluar me provat në ngjarjen e rëndë që ndodhi, më 01.09.2024, në lagjen Aktash, në Prishtinë.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës së Prishtinës.
“Ju njoftojmë se pas Kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit V. B., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, më 10.02.2025, ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar Kërkesën e PTHP-në, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit V. B. i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muajsh.” – thuhet në përgjigjen e zëdhënësës së Gjykatës së Prishtinës.
Kujtojmë se Gjykata e Prishtinës, më 12.09.2024, ndaj Vesel Bunjakut kishte caktuar 30 ditë masën e paraburgimit.
Sipas Dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com ekziston dyshimi i arsyeshëm se, më 01.09.2024, sipas orës së kamerave 21:42:16, e cila ka dallim me kohën reale, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri Vesel Bunjaku kishte marrë dy armë.
Tutje, sipas Dosjes së Prokurorisë, sa i përket dy armëve dyshohet se njëra është e të pandehurit Salih Sekiraqa – revole me ngjyrë të zezë dhe tjetra dyshohet të jetë e të pandehurit Fatos Abazi – me ngjyrë të bardhë.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, i dyshuari Vesel Bunjaku shkon në terrasën e lokalit në drejtim të banakut, ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë. Pastaj, del nga pjesa e prapme e lokalit, i fsheh armët dhe kthehet në lokal, sipas kohës së kamerave 21:42:36, ku në duar nuk kishte më asgjë.
Gjithnjë sipas Dosjes së Prokurorisë, me datë dhe vend të përshkruar si më lart i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, të cilat i ka mbajtur në posedim dhe kontroll, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorur si mjete për kryerjen e veprave penale.
Për shkak të veprimeve të lartpërmendura Vesel Bunjaku dyshohet se ka kryer veprën penale: “manipulim me prova” dhe “armëmbajtje pa leje”.