Të dyshuarit për manipulim të provave në ngjarjen e rëndë në Aktash i vazhdohet masa e paraburgimit
Gjykata Themelore e Prishtinës i ka vazhduar edhe për 2 muaj masën e paraburgimit Vesel Bunjakut, si i dyshuar se ka manipuluar me provat në ngjarjen e rëndë që ndodhi më 01.09.2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës së Prishtinës.
“Ju njoftojmë se më datë 09.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit V. B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Manipulim me prova dhe Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve. Të pandehurit V. B. masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej (2) muaj”- thuhet në përgjigjen e Mirlinda Gashit.
Kujtojmë se Gjykata e Prishtinës më datë 12.09.2024 ndaj Vesel Bunjakut kishte caktuar 30 ditë masën e paraburgimit.
Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com ekziston dyshimi i arsyeshëm se më datë 01.09.2024, sipas orës së kamerave 21:42:16, e cila ka dallim me kohën reale, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimet me prova, i pandehuri Vesel Bunjaku kishte marrë dy armë.
Tutje sipas dosjes së prokurorisë ato dy armë dyshohet se njëra është e të pandehurit Salih Sekiraqës, revole me ngjyrë të zezë dhe tjetra dyshohet të jetë e të pandehurit Fatos Abazi me ngjyrë të bardhë.
Sipas dosjes së prokurorisë i dyshuari Vesel Bunjaku me ç’rast shkon në terrasën e lokalit në drejtim të banakut ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal sipas kohës së kamerave 21:42:36 ku në duar nuk kishte më asgjë.
Gjithnjë sipas dosjes së prokurorisë, me datë dhe vend të përshkruar si më lartë i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, të cilat i ka mbajtur në posedim dhe kontroll në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilën armë e janë përdorur si mjete për kryerjen e veprave penale.
Për shkak të veprimeve të lartpërmendura Vesel Bunjaku, dyshohet se ka kryer veprën penale “Manipulim me prova” dhe “Armëmbajtje pa leje”.