Të dyshuarit për grabitje dhe plagosje në Prizren ende nuk janë identifikuar nga policia

Dy persona kanë mbetur të plagosur nga një tentim grabitje e cila ka ndodhur orët e mbrëmjes së kaluar në Prizren.

Tre të dyshuar në këtë rast ende nuk janë identifikuar nga organet e rendit ndërsa të maskuar e të armatosur kanë tentuar të grabisin një lokal argjendarie në Prizren.

Policia e Kosovës në raportin ditor ka njoftuar se të dyshuarit kanë hyrë në lokal kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të pronarit dhe djalit të tij të cilët kanë marrë plagë dhe janë dërguar për trajtim në spitalin e Prizrenit.

Pas kësaj ngjarje sipas policisë, tre të dyshuarit ende të paidentifikuar nuk kanë arritur që të kryejnë grabitjen dhe me veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Mbrëmjen e kaluar, policia ka njoftuar edhe se të dyshuarit i kanë vënë flakën veturës me të cilin kishin tentuar të kryenin grabitjen e më pas nën kërcënim të armës i kishin marrë një veturë tjetër një kalimtari.

Gjendja e pronarit të biznesit në Prizren dhe djalit të tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Policia dhe prokuroria kanë dalë në vendin e ngjarjes ndërsa kanë njoftuar se janë duke zhvilluar hetime intensive në lidhje me rastin.

KALLXO.com raportoi për ngjarjen mbrëmjen e kaluar.

Të dyshuarit për tentim-grabitjen në Prizren i marrin me forcë një qytetari veturën dhe largohen