Të dyshuarës për vrasjen e kunatës në Kuk të Dragashit i vazhdohet paraburgimi

Gjykata e Prizrenit ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin N. A., e dyshuar për vrasjen e kunatës në fshatin Kuk të Dragashit.

67 – vjeçarja dyshohet se u godit me mjete të forta të cilat i kanë shkaktuar edhe vdekjen.

Rasti ka ndodhur më datë 23 dhjetor 2022, rreth orës 10:00, derisa e ndjera ishte e shtrirë në njërën nga dhomat e shtëpisë.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, paraburgimi do t’i llogaritet deri më datë 27 maj 2023.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Artan Sejrani pas vlerësimit të kërkesës për vazhdimin e masës së paraburgiit dhe shkresave të lëndës ka gjetur se kërkesa është e bazuar.

“Gjyqtari i procedurës paraprake gjen se janë përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit duke marr parasysh peshën e veprës penale, mënyrën se si e ka kryer  veprën duke e goditur viktimën disa herë me mjet të fortë, për pasojë viktima ka gjetur vdekjen, rrethana nën të cilat është kryer vepra që kanë ndikuar rëndë në publik, sjellja e mëparshme e saj ndaj viktimës duke ushtruar dhunë të pandërprerë në kohë të gjatë. Andaj, gjyqtari i procedurës paraprake vlerëson se e pandehura po të lihet në liri do të vazhdojë të kryejë vepra të tjera penale të kësaj natyre”- përshkruhet në aktvendim.

Sipas dosjes, më datë 23 dhjetor 2022, rreth orës 10:00, e dyshuara e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës e cila ishte e shtrirë në një dhomë të shtëpisë me një dru ahu, me një pjesë të laminatit dhe me një dërrasa të llamperisë e godet në pjesë të ndryshme të trupit dhe fytyrë duke i shkaktuar gjakderdhje në tru.

Sipas Prokurori e njëjta ka ndërruar jetë më datë 26 dhjetor 2022, rreth orës 05:30.

N. A., po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

E dyshuara ka pranuar para Policisë se e ka goditur për vdekje kunatën 67-vjeçare.

Për KALLXO.com lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi.

Togeri Bytyqi ka thënë se pas ballafaqimit me prova e dyshuara N. A. ka pranuar se e ka goditur me mjete të cilat më pas i ka fshehur.

“Lidhur me rastin në fjalë, pas kryerjes së ekzaminimit mjekoligjor të trupit të pajetë të viktimës nga IML, policia ka vazhduar hetimet. Është riintervistuar kunata e viktimës në cilësinë e të dyshuarës, e cila pas ballafaqimit me prova të reja e ka pranuar se ka kryer vrasjen dhe mjetet me të cilat e ka kryer vrasjen i ka fshehur” – ka konfirmuar Bytyqi.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.