Kuvendi i Kroacisë - Foto: RTK

Të dielën Kroacia në zgjedhje, deputetja nga Prizreni në garë për mandatin e tretë

Të dielën e 5 korrikut, kroatët do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, bashkë me Institutin Kroat për Shëndetësi Publike, do të vendosin se si do të mbahen zgjedhjet në kohën e pandemisë së COVID-19.

Kroacia, e cila dje ka përfunduar presidencën gjashtëmuajshe të BE-së, në janar kishte mbajtur zgjedhjet presidenciale, në të cilat socialdemokrati Zoran Milanoviq ka mposhtur ish-presidenten Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Në Kroaci janë të lajmëruar rreth 19 mijë shqiptarë, të cilët sipas Ligjit për pakica kanë të drejtën e zgjedhjes së deputetit të tyre.

Në zgjedhjet parlamentare të datës 5 korrik, të drejtën e votës e kanë 11,000  shqiptarë që jetojnë dhe kanë shtetësi të Kroacisë.

Në dy mandatet e fundit ka qenë hera e parë që shqiptarët janë përfaqësuar nga deputetja Ermina Lekaj – Perlaskaj, e cila me prejardhje është nga fshati Zym i Prizrenit, ndërsa mandatin e parë ishte për një periudhë të shkurtër meqenëse Kroacia kishte shkuar menjëherë në zgjedhje të parakohshme në të cilat deputetja nga Prizreni kishte rifituar mandatin e saj për ta ushtruar deri në fund të këtij mandati.

Pesë komunitete, shqiptarët, boshnjakët, malazezët, maqedonasit dhe sllovenët, përfaqësohen nga një deputet.

Në këto zgjedhje për të fituar ulëse për këto pesë komunitete në garë për ulëse në Parlamentin e Kroacisë janë edhe katër boshnjakë, dhe tre shqiptarë.

Më 27 qershor në qytetin e Osijekut është hapur Qendra Kulturore Shqiptare. Në këtë qendër do të jetë e vendosur edhe Konsullata shqiptare.