Ilustrim

Të dhënat nga monitorimi tregojnë sfidat e zbatimit të masave kundër COVID-19 në shkolla

Mes sfidës të infektimeve nga COVID-19, shkollat e Kosovës që nga muaji shtator kanë arritur të mbajnë mësim sipas planeve të hartuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Por, ky vit shkollor që u nis në gjysmë, po ashtu pritet të përfundojë para kohe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që viti i ri shkollor 2020/21 të mbyllet më 18 dhjetor për shkak të rasteve me COVID-19.

Para se të fillonte mësimi, Ministria ishte konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilët edhe kishin përpiluar një udhëzim se si duhet të mbahet mësimi në kohë pandemie si dhe rregullat se si shkollat duhet të funksionojnë.

Po ashtu, hapja e shkollave, mirëmbajtja dhe furnizimi i tyrec me mjete mbrojtëse gjatë pandemisë, u është lënë në dorën e komunave.

Organizata “Edu Task”  në bashkëpunim me “BIRN Kosova” që nga muaji tetor kanë monitoruar shkollat e komunave të vendit, për të vërtetuar nëse masat e Qeverisë janë dukë u zbatuar në institucionet arsimore.

Përmbushja e masave në nivel nacional

Para se të fillonte viti i ri shkollor 2020/21, Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte rekomanduar që secila komunë të krijojë një task-forcë komunale, që do të ketë për detyrë menaxhimin e pandemisë në shkolla.

Kjo formë e menaxhimit është që çdo shkollë po ashtu të krijojë task-forcën shkollore dhe të raportojë për çdo rast tek task-forca komunale.

Në task-forcën shkollore bëjnë pjesë zakonisht: Drejtori i shkollës, koordinatori i cilësisë, një përfaqësues i mësimdhënësve, një përfaqësues i nxënësve, një i prindërve si dhe mësimdhënës të teknologjisë.

Në bazë të raportit të “Edu Task” ku janë monitoruar rreth 100 shkolla në gjitha komunat gjatë periudhës 23 tetor deri më datën 15 nëntor, tregohet se masat më të zbatuara më së shumti në nivel vendi janë: Masa ‘Taskforca në nivel institucioni parashkollor apo shkolle’ që është përmbushur me 89.3%, e përcjellur nga ‘Masat parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me Covid-19 dhe ndërprerja e mësimit’ me 83.28%, ‘Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës për fillimin e vitit shkollor’ me 80.88%.

Sipas po këtij raporti, masa e zbatuar më së paku në nivel vendi mbetet ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASH’ e përmbushur vetëm 66.13%.

Kurse, sa i përket  masave të zbatuara më shumë se 95% në nivel vendi radhiten: Është siguruar pjesëmarrja aktive e mësimdhënësve (97.5%), Mësimdhënësit janë plotësisht të informuar dhe pjesëmarrës aktivë (97.5%), Task -orca është funksionale (96.5%) Shkolla ka hartuar orarin e mësimit në shkollë (96.5%), Janë ofruar udhëzimet e sakta dhe orari për mësimdhënësit për mësim sipas skenarëve (96%), Shkolla ka siguruar paisjen/t për matjen e përditshme të temperaturës (96%), Është bërë dezinfektimi dhe pastrimi gjeneral i shkollës (95%) dhe DKA/ shkolla ka siguruar ujë të rrjedhshëm gjatë orarit të punës (95%).

E nën masat që shkollat e vendit i kanë përmbushur më pak se 50% përfshijnë sigurimi i transportit të nxënësve, trajnimi për nxënësit dhe mësimdhënësit për përdorimin e teknologjive të reja, mungesa e psikologëve, mungesa e pajisjeve teknologjike dhe të tjera.

“DKA dhe shkolla kanë siguruar transport të sigurt për grupe të caktuara të nxënësve(25%) Është mbajtur trajnimi për nxënësit për përdorimin e platformës (27%) DKA / Shkolla ka siguruar personel plotësues teknik për m2 (28.5%) Janë siguruar pajisjet teknologjike për nxënës (32.5%) Janë siguruar pajisjet teknologjike për mësimdhënës (38%) Është mbajtur trajnimi për mësimdhënësit për përdorimin e platformës(44.5%) DKA dhe shkolla kanë hartuar/miratuar listën për zëvendësim të përkohshëm të stafit të shkollës (45%) dhe DKA dhe shkolla kanë siguruar shërbime konsulence psikologjike (46%)”, është thënë më tej në raportin e “Edu Task”.

Cilat komuna i zbatuan më së miri masat anti-COVID-19 në shkolla?

Kryetarët e komunave të Kosovës ishin zotuar për zbatim të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në shkollat e tyre.

Por, raporti i bërë nga “Edu Task” ka gjetur të dhëna të ndryshme të zbatimit të këtyre masave nga ana e komunave.

Komunat që më së miri kanë performuar sipas këtij raporti janë: Juniku, Kamenica, Kaçaniku, Shtimja, Skenderaj, Ferizaj, Gllogovci, Istogu dhe Prishtina, që kanë përmbushur mbi 80% të masave.

Kurse, komunat që radhiten me performancën më të dobët janë ajo e Obiliqit, Shtërpcës, Podujevës, Mitrovicës, Mamushës dhe Suharekës me rreth 50% të masave të zbatuara në shkollat e tyre.

“Ndërsa një analizë që zbërthen zbatimin e masave për komunë tregon se komunat Dragash, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gllogovc, Kaçanik, Lipjan, Malishevë, Mamushë, Novobërdë, Obiliq, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri nga katër masat kanë zbatuar më së shumti masën ‘Taskforca në nivel institucioni parashkollor apo shkolle’”, thuhet më tej në raportin e bërë nga organizata “Edu Task”.

Kurse, komunat Deçan, Gjakovë, Istog, Junik, Kamenicë, Klinë, Mitrovicë, Pejë, Shtime, dhe Skenderaj kanë zbatuar më së shumti ‘Masat parandaluese: testimi, raportimi i rasteve me Covid-19 dhe ndërprerja e mësimit’, ndërsa komuna e Gjilanit nga katër masat më së shumti ka zbatuar ‘Masat parandaluese higjienike dhe mbrojtëse – Përgatitja e shkollës për fillimin e vitit shkollor’.

Masa më së paku e zbatuar nga të gjitha komunat mbetet ‘Organizimi i procesit mësimor sipas tre skenarëve të paraqitur në udhëzuesin e MASH’, mirëpo në nivel komunash në përmbushjen e kësaj mase më së miri ka performuar komuna e Kamenicës, ndërsa komuna me performancën më të dobët në zbatimin e kësaj mase është komuna e Shtërpcës.

Cilat skenare u zbatuan nga komunat?

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kishte përgatitur tre skenarë për mësim, që komunat pastaj kanë vendosur se në cilin skenar dëshirojnë të funksionojnë, në bazë të kapaciteteve të tyre.

Tre skenarët kanë qenë: Skenari A që është për mësim fizik në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim online nga platforma të ndryshme.

Në bazë të raportit të “Edu Task” në fazën e projektit në periudhën 23 tetor-15 nënor 2020, vërehet se  gjatë kohës së gjatë kohës së monitorimit shkolla që kanë kaluar në skenarin C janë regjistruar në komunën e Obiliqit, Vushtrrisë, Fushë Kosovës, dhe Prishtinës.

Kurse, shkollat që kanë adaptuar skenarin B janë regjistruar në Gjilan, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Vushtrri, dhe Pejë.

“Marrë parasysh numrin e kufizuar të mostrës dhe ndryshimet e shpejta në skenarët me të cilët punojnë shkollat për shkak të rritjes së rasteve të infektimit me Covid-19, këto të dhëna mund të mos përputhen plotësisht me situatën aktuale. Poashtu duke pasur parasysh që shkollat ndërrojnë skenaret sipas situatës epidemiologjike, ky raport paraqet vetëm raportimin brenda dy javëve kur është bërë monitorimi”, është thënë më tej në këtë analizë të “Edu Task”,

KALLXO.com po ashtu muajin e kaluar kishte publikuar edhe të dhënat e raportit të “Edu Task” për muajin tetor.

Në bazë të raportit të monitorimit të muajit tetor, masa më e përmbushur në nivel vendi nga të gjitha shkollat është themelimi i task-forcës shkollore me 85%.

Viti shkollor në pandemi, sa u zbatuan masat anti-COVID në shkollat e Kosovës?

 

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë më 24 dhjetor dhe të nisë më 8 janar.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar nga shkollat që t’i përmbyllin planprogramet e parapara për këtë gjysmëvjetor.

Hoti në ditën kur ka marrë vendimin për përfundim të parakohshëm të gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/2021, ka thënë se këto ditë do të kompensohen në pushimin pranveror, që i bie të jetë në muajin prill apo në qershor.

Këtë vendim e ka përkrahur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.