Të dhënat e fundit për të infektuarit me COVID-19 në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencave për parandalimin e virusit COVID-19 ka bërë të ditur numrin e personave të prekur me COVID-19 në Gjilan.

Haziri ka thënë se në Gjilan aktualisht janë 130 raste aktive me COVID-19 dhe 190 të shëruar plotësisht nga ky virus.

Po ashtu ai ka thënë se 7 persona kanë vdekur në Gjilan nga COVID-19. Për personin e 8-të, Haziri ka thënë se testi i është marrë pas vdekjes dhe do të konstatohet nëse ka qenë i infektuar me COVID-19 apo ka vdekur si pasojë e problemeve të tjera shëndetësore.

Në total në Gjilan janë 327 raste me COVID-19. Prej rasteve aktive, sipas kryetarit Haziri, 47 janë duke u trajtuar në Spitalin Regjional të Gjilanit.

“Prej tyre 24 janë me COVID-19 dhe kanë nevojë për tretman intensiv dhe kanë nevojë për tretman intensiv, por nuk kanë simptoma të rënda dhe trajtimi bëhet për shkak të oksigjenit në klinikën infektive dhe në repartet e spitalit”, ka deklaruar kryetari Haziri.

Sipas të dhënave të publikuara sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, 118 persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe 157 të tjera janë shëruar. Ndërsa 5 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19 duke e çuar numrin total në 135.