Foto-ilustrim

Të dënuar me dënime të rënda, këta janë personat që po kërkohen nga policia shqiptare

Policia shqiptare ka publikuar fotografitë dhe të dhënat edhe të tre personave, të cilët janë në arrati.

Këta persona janë të dënuar me shumë vite burg pasi janë shpallur fajtor për vrasje.

Njëri prej tyre është Aleks Totraku, alias Abdyl Lala.

Më 1 janar 2013, në fshatin Mazrek të Komunës Kashar, Aleks Totraku, në bashkëpunim me vëllanë e tij shtetasin Antonio Lala alias Mirjan Lala (person në kërkim) ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. D.

Aleks Totraku është dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale – vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim dhe -armëmbajtja pa leje.

Personi i dytë është Antonio Lala, alias Mirjan Lala.

Më 1 janar 2013, në fshatin Mazrek të Komunës Kashar, Antonio Lala alias Mirjan Lala, në bashkëpunim me vëllanë e tij Aleks Totraku alias Abdyl Lala (person në kërkim), ka vrarë me armë zjarri shtetasin A.D.

Antonio Lala është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 25 vjet burgim për veprat penale – vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtja pa leje.

I kërkuari i tretë nga autoritetet shqiptare është Nexhip Rexho.

Më 27 gusht 2000, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë, Nexhip Rexho ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin L.M. dhe ka plagosur gruan e këtij të fundit, shtetasen T.M.

Nexhip Rexho është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë me 25 vjet burgim për veprat penale – vrasja me paramendim, vrasja me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtja pa leje.