Të burgosurit në Dubravë korrën 10 hektarë me grurë

Të burgosurit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, kanë korrur 10 hektarë me grurë.

Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, sasia e tërësishme e grurit nga korrje shirjet për vitin 2024 ka arritur në 31 mijë e 800 kilogram grurë.

“E gjithë puna, nga mbjellja deri te korrja, është kryer nga të burgosurit e kësaj qendre, nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e Njësisë Ekonomike të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe stafit të Qendrës Korrektuese të Dubravës”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 21.07.2024.

Rendimenti i prodhuar nga kjo kulturë bujqësore, sipas ShKK-së, do të përdoret për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes punës së Njësisë Ekonomike, synon dita ditës të ndikojë në rehabilitimin dhe ri-socializimin e personave të burgosur, si dhe në uljen e shpenzimeve të buxhetit të SHKK-së”, thuhet në njoftim.