Të burgosurit mbjellin perime për kuzhinat e burgjeve

Situata me pandeminë COVID-19 nuk ka ndaluar aktivitetet e të burgosurve që të bëjnë furnizim dhe mbjellje me perime për kuzhinat e qendrave korrektuese.

Të burgosurit e qendrave korrektuese kanë mbjellur hapësira bujqësore me domate, patate, fasule, lakra dhe tranguj.

“E gjithë puna është duke u kryer nga të dënuarit e qendrave korrektuese dhe po udhëhiqet nga stafi i qendrave, ndërsa në aspektin profesional është duke u mbikëqyrur nga Njësia Ekonomike e SHKK-së. Të dënuarit, përveçse kanë aktivitete të shumta edukative, sportive, ata zhvillojnë edhe aktivitete tjera, me të cilat shprehin talentin në punën dhe zanatet e tyre që ata zotërojnë. Përveç kësaj, puna e të burgosurve brenda institucioneve korrektuese normalizon edhe jetën e përditshme në burg”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

SHKK përmes Njësisë Ekonomike dhe aktiviteteve të saj, sipas njoftimit thotë se synon të ndikoi në rehabilitimin dhe ri-socializimin e personave të burgosur, në uljen e shpenzimeve ekonomike, e po ashtu edhe në rritjen e kualitetit dhe cilësisë së ushqimit.

“Tashmë ka filluar furnizimi me tranguj i kuzhinave të të gjitha institucioneve korrektuese dhe atyre të paraburgimit, ndërsa shumë shpejt do filloi furnizimi edhe me produktet tjera, siç janë domatet, patat, speca, fasule, lakra, etj”, thuhet tutje në njoftim.