“Të akuzuarit për vepra të korrupsionit po lirohen dhe pasuria e tyre po mbetet e pa prekur”

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova kanë prezantuar raportin e monitorimit të gjykatave.

Blerta Iberdemaj nga zyra ligjore e BIRN dhe Internews Kosova tha se njëra nga veglat kryesore për goditjen dhe dobësimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit është sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së fituar përmes veprave penale.

Rëndësia e këtij instrumenti ligjor sipas saj është tejet e madhe në një vend si Kosova që synon paaftësimin e strukturave kriminale.

“Po ashtu, rëndësia e konfiskimit të pasurisë në synimin për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, evidentohet edhe në ‘Raportin e Progresit’ të Komisionit Evropian për Kosovën, ku qartazi theksohet Kosova ka bërë progres në sekuestrim po se ende ka ngecje në konfiskimin e pasurisë”, tha Ibërdemaj.

Ibërdemaj tha se bilanci përfundimtar për vitin 2019 tregon që kemi pas afër 9 milion euro ngrirje të pasurisë së sekuestruar në raport me pasurinë e konfiskuar ku sipas saj pasuria e konfiskuar ka arritur vlerën afër një milion.

“Në vitin 2018 kemi pas numër më të madh të pasurisë së sekuestruar. Viti 2018 ka përfundu me afër 28 milionë me pasuri të sekuestruar ndërsa në 2019 kjo shifër është zbritur për afër 20 milionë”, tha ajo.

Për vitin 2019 Ibërdemaj tha se kanë vërejtur ndryshime pozitive te pasuria e konfiskuar.

“Rritja apo ngritja e pasurisë së konfiskuar për vitin 2019 ka ndodh në fund të vitit 2019 e gjithë kjo ka rastis nga një rast i vetëm rast i cili është kthyer në rigjykim”, shtoi Ibërdemaj.

Nga kjo ngritje sipas saj nuk ka pasur asnjë rast të korrupsionit i cili ka rezultuar me konfiskim te pasurisë.

“BIRN dhe Internews Kosova vlerëson se është momenti i fundit kur mekanizmat e drejtësisë Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të mblidhen dhe ta analizojnë në tërësi se cila hallkë e drejtësisë është duke çaluar për shkak se jo vetëm që po lirohen të akuzuarit për vepra të korrupsionit por edhe pasuria e tyre po mbetet e pa prekur”, tha Ibërdemaj.

Ibërdemaj ka treguar edhe për gabimet që ka arritur t’i vërejë Gjykata Supreme sa i përket aktgjykimeve të gjykatave të rangut më të ulët.

Dy gabime janë vërejtur në Gjykatën Themelore dhe të Apelit të cilat sipas saj kanë vepruar gabimisht duke i liruar të akuzuarit për vepra penale të korrupsionit.

Në 2018, Gjykata Supreme ka evidentuar 4 raste ku janë vërejtur gabime të gjykatave të rangut më të ulët. Për vitin 2020 deri tani janë evidentuar 8 raste.

Për vitin 2019, sipas Ibërdemaj Supremja ka gjetur se Ligji është shkelur nga gjykatat e rangut më të ulët në favor të të akuzuarve në rastin e njohur si APELI, ky i akuzuar kishte qenë ish-kryetari i Gjyaktës së Apelit, Sali Mekaj.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 28 maj 2018, trupi gjykues kishte vendosur që t’i lirojë nga akuza të pandehurit.

Sipas Ibërdemaj më shumë se pesë muaj pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, edhe gjykata e shkallës së dytë e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore e cila Sali Mekajn dhe të tjerët i kishte gjetur të pafajshëm.

Edhe Gjykata e Apelit sipas saj në vendimin e saj kishte konstatuar se në aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë të atakuar nga Prokuroria, nuk evidentohej asnjë shkelje esenciale e dispozitave të procedurës penale. Sipas Gjykatës së Apelit, Gjykata e Prishtinës gjendjen faktike e kishte vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë prandaj Apeli kishte konstatuar se nuk ka as shkelje të ligjit penal.

Në qershor të vitit 2019, Gjykata Supreme kishte gjetur se ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj u lirua nga akuzat me shkelje ligjore.

“Gjykata Supreme ka konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit janë marrë me shkelje të Kodit të Procedurës Penale në pjesën që i përket të pandehurit Sali Mekaj për veprën penale, ushtrimi i ndikimit dhe të pandehurës Vlora Gorani për veprën penale shtytje në ushtrimin e ndikimit”, tha ajo.

Ndërsa rasti tjetër për të cilin Gjykata Supreme ka konstatuar shkelje është rasti “Inspektori”.

Më 23 shtator të vitit 2015, Gjykata Themelore në Pejë, e liroi Lulzim Çitakun nga të gjitha akuzat. Në aktgjykimin e nxjerrë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Sylë Lokaj, Nushe Kukaj-Mekaj, dhe Murat Hulaj thuhej se nuk është provuar se i akuzuari i kishte kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Ibërdemaj tregoi se e pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, Prokuroria paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit. Pas shqyrtimit të ankesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia ka kthyer për gjykim edhe një herë Gjykatës Themelore në Pejë.

“Pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, Gjykata e Pejës me 18 korrik 2018, për të dytën herë e shpalli aktgjykimin me të cilin prapë e liroi nga akuza Inspektorin e minierave dhe mineraleve Lulzim Çitakun. E pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, prokurorja e rastit Sahide Gashi përsëri kishte parashtruar ankesë pranë Gjykatës së Apelit”, tha ajo.

Pas shqyrtimit të ankesës së Prokurorisë, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë e cila kishte vendosur që ta lironte nga akuza inspektorin Lulzim Çitaku.

Ibërdemaj tha se Gjykata Supreme me aktgjykimin e saj të nxjerrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Nesrin Lushta, kryetare, me dy anëtarët Valdete Daka dhe Agim Maliqi, kanë vlerësuar se Gjykata e Pejës dhe Gjykata e Apelit kanë shkelë ligjin në favor të inspektorit, në momentin kur e kanë shpallur atë të pafajshëm për marrje të ryshfetit.

Gjykata më e lartë në vend sipas saj ka konstatuar se sikur të zbatohej drejtë ligji, Lulzim Çitaku do të shpallej fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit pasi që sipas kësaj Gjykate, dy gjykatat si ajo e shkallës së parë, ashtu edhe e shkallës së dytë, kanë pasur prova të mjaftueshme për ta shpallhur fajtor të akuzuarin.

Gjatë kësaj konference janë bërë publike edhe të dhënat e siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të cilat tregojnë se vlerësimit të performancës në vitin 2018 i ishin nënshtruar 60 gjyqtarë dhe të dhënat evidentojnë se asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me vlerësim “të dobët”, një gjyqtar ka rezultuar me vlerësim “mirë”, 58 gjyqtarë kanë rezultuar “shumë mirë”, ndërsa një gjyqtar ka rezultuar “shkëlqyeshëm”.

Nga të dhënat tjera të siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tregojnë se vlerësimit të performancës në vitin 2019 prej gjithsej 40 gjyqtarëve sa i janë nënshtruar vlerësimit të performancës, asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me vlerësim “të dobët”, apo vlerësim të “mirë”, prej numrit të përgjithshëm, 34 gjyqtarë kanë rezultuar “shumë mirë”, ndërsa gjashtë gjyqtarë kanë rezultuar “shkëlqyeshëm”.

Ndërsa nga të dhënat e pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nga vlerësimet e kryera ka rezultuar se 59 prokurorë janë vlerësuar “shumë mirë”, 27 prokurorë “mirë” si dhe dy prokurorë janë vlerësuar “pamjaftueshëm” zerro kanë rezultu mjaftueshëm.

Ibërdemaj tha se  nga 66 prokurorët e vlerësuar për vitin 2018, 40 prej tyre kishin arritur që në vlerësim të performancës të kenë vlerësim “shumë mirë”, 23 të tjerë “mirë” dhe vetëm tre prokurorë kishin rezultuar me vlerësim “mjaftueshëm” dhe zerro pamjaftueshëm.

Gjatë kësaj konference janë dhënë edhe rekomandime për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrinë e drejtësisë.

Rekomandimet nga raporti janë:

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet që urgjentisht të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmirësimin e bilancit të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale;

Në veçanti, KPK në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë duhet të organizojë trajnime dhe aftësime profesionale të obligueshme për prokurorët në lidhje me Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim të Pasurisë;

KPK duhet të krijojë një trup/mekanizëm që të analizojë në thellësi arsyet dhe shkaqet që po qojnë drejt dështimit të aktakuzave të korrupsionit në gjykata dhe mësimet e nxjerra të shërbejnë si trajnim dhe përvojë për prokurorët që ndjekin këto raste;

Të ndryshojë rrënjësisht vlerësimi i performancës së prokurorëve, të eliminohet zgjedhja e rastësishme e rasteve që janë pjesë e vlerësimit të performancës; – Rastet e korrupsionit të jenë pjesë e vlerësimit të performancës në mënyrë direkte dhe jo përmes metodës ‘random’;

Të bëhet pjesë e matjes gjatë vlerësimit të performancës edhe numri i rasteve për të cilat është iniciuar sekuestrimi dhe ngrirja e pasurisë së fituar me vepër penale dhe shuma e pasurisë dhe numri i rasteve në të cilat është konfiskuar pasuri me vendim të formës së prerë;

Të bëhet një analizë e detajuar dhe transparente duke përfshirë edhe eksponentë të shoqërisë civile që të identifikohen shkaqet që kanë sjellë dështimin e aktakuzave në rastet e shënjestuara dhe të ndërmerren masa disiplinore ndaj prokurorëve të cilët me papërgjegjësinë e tyre kanë shkaktuar dështimin e aktakuzave në rastet e shënjestëruara;

Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të organizohen programe trajnimi për ndjekjen e veprave të reja të parapara me Kodin e ri Penal, në veçanti për veprat penale, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim” neni 415 i KPRK, “Hakmarrja apo pengimi i sinjalizuesve” neni 388 i KPRK-së;

Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të organizohen programe trajnimi për hetimin dhe zbulimin e krimeve ekonomike për të gjithë prokurorët dhe stafin mbështetës dhe me qëllim të rritjes së efikasitetit të ndjekjes së krimeve të kësaj natyre;

Të respektohen afatet ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore për fillimin e zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve;

Përmes raporteve të detajuara mujore dhe përmes statistikave që mund të gjenerohen nga SMIL të ketë një mbikëqyrje rigoroze të raporteve të punës të të gjitha niveleve të prokurorive dhe trajtimit të rasteve të korrupsionit në veçanti.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës të ndryshojë Rregulloren për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve, në mënyrë që rastet e korrupsionit në mënyrë direkte të jenë pjesë e vlerësimit të performancës të gjyqtarëve;

Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet me vlerësim të jashtëzakonshëm të vlerësojë performancën e secilit gjyqtar të cilit i parashkruhen lëndë apo menaxhimi i të cilëve ndikon në parashkrimin e lëndëve;

Autoriteti Kompetent – kryetarët e gjykatave, sipas detyrës zyrtare të fillojnë procedurën disiplinore ndaj secilit gjyqtar të cilit i është parashkruar qoftë edhe vetëm një lëndë;

Urgjentisht të bëhet një analizë e thellë dhe e detajuar përmes një procesi transparent dhe të hapur me përfshirje edhe të shoqërisë civile, fjala është për organizatat kredibile, në lidhje me gjetjet alarmuese në trajtimin e rasteve të shënjestuara dhe të evidentohen shkaqet që kanë ndikuar në zvarritjen e gjykimit të këtyre lëndëve dhe të evidentohen shkaktarët e një numri të lartë të rigjykimeve, vonesave të vazhdueshme dhe aktgjykimeve liruese e refuzuese.

Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të organizohen programe trajnimi për gjyqtarët në lidhje me Udhëzuesin për politikën ndëshkimore;

Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të organizohen programe trajnimi për gjyqtarët që gjykojnë në veçanti në departamentin e krimeve të rënda lidhur me Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim të Pasurisë;

Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të organizohen programe trajnimi për gjykimin e veprave të reja të parapara me Kodin e ri Penal, në veçanti për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim” neni 415 i KPRK, “Hakmarrja apo pengimi i sinjalizuesve” neni 388 i KPRK-së;

Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të organizohen programe trajnimi me qëllim të përmirësimit dhe rifreskimit të njohurive të të gjithë gjyqtarëve në fushën e krimeve ekonomike për gjyqtarët dhe stafin mbështetës me qëllim të ngritjes së nivelit të njohurive për këtë lloj krimi;

Këshilli Gjyqësor i Kosovës të udhëzojë, njoftojë dhe aftësojë gjyqtarët në lidhje me format, vëllimin dhe rastet kur mund të kufizojnë parimin e publicitetit të shqyrtimit gjyqësor duke evituar kështu kufizimin dhe cenimin e paligjshëm të këtij parimi;

Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të hapë dyert për monitorimin e procesit të rekrutimit të gjyqtarëve të rinj dhe po ashtu monitorimin e proceseve të avancimit të gjyqtarëve;

Këshilli Gjyqësor i Kosovës të rrisë transparencën në drejtim të menaxhimit të rasteve disiplinore duke përmbushur obligimet për transparencë të përcaktuara me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;

Ministria e Drejtësisë

Të përshpejtohet dhe finalizohet procesi i dizajnimit dhe përcaktimit të procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Të shpeshtohet dhe përshpejtohet puna e komisionit të aprovuar nga Qeveria e Kosovës për këtë qëllim dhe të paktën në baza dymujore të raportohet në lidhje me ecurinë e punës së këtij komisioni;

Me urgjencë të finalizohet dhe ri-procedohet në Kuvendin e Kosovës, Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës duke adresuar dhe rregulluar suspendimin e zyrtarëve me aktakuza të korrupsionit, afatin e hetimeve, publicitetin e aktakuzave si dhe të parashohë mundësinë e kthimit në rigjykim të rasteve kur Gjykata Supreme evidenton gabime në vendimet e gjykatave themelore dhe Gjykatës së Apelit;

Duke parë edhe mungesën e rezultateve të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim të Pasurisë, me urgjencë duhet të procedohet dhe draftohet edhe Ligji Anti-Mafia duke zhvendosur kështu barrën e të provuarit të prejardhjes së pasurisë tek i dyshuari për kryerjen e veprës penale;

Të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës ashtu që të mundësojë edhe ndryshimin e rregullores për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve duke ndryshuar dhe plotësuar kriteret me të cilat vlerësohet performanca e gjyqtarëve dhe po ashtu të mundësohet vlerësimi i jashtëzakonshëm i performancës së gjyqtarëve;

Të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve ashtu që të përfshijë dhe përcaktojë edhe adresën për parashtrimin e ankesave ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe në veçanti të parashihen masa ndaj Autoriteteve Kompetente në rastet kur ata neglizhojnë afatet ligjore për trajtimin e ankesave disiplinore;