Të akuzuarit për krime lufte, Svetomir Baçeviqit i vërtetohet dënimi nga Apeli

Gjykata e Apelit ka marrë aktgjykim me të cilin ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë ndaj të akuzuarit për krime mbi popullatën civile, Svetomir Baçeviq.

I njëjti nga gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me 5 vite dënim me burgim.

Prokuroria Speciale, i akuzuari dhe mbrojtësi i tij kishin parashtruar ankesë lidhur me vendimin e shkallës së parë.

Prokuroria Speciale përmes ankesës në Apel kishte kërkuar që të ndryshoj aktgjykimin e shkallës së parë vetëm sa i përket lartësisë së dënimit, duke kërkuar dënim më të lartë për të akuzuarin.

Në anën tjetër ankesë ka pasur edhe nga i akuzuari Svetomir Baceviq si dhe nga mbrojtësi i tij Dejan Vasiq me pretendimet se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe shkelje të ligjit penal, e mbi bazën e këtyre pretendimeve Vasiq ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza në mungesë të provave.

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e palëve si të pa bazuara duke vërtetuar vendimin e shkallës së parë.

I akuzuari për krime lufte, Svetomir Baçeviq ishte shpallur fajtor në lidhje me veprën që i vihej në barrë.

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka gjetur fajtor Baçeviqin dhe i ka shqiptuar dënimin me 5 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Prokuroria Speciale po e ngarkonte Baçeviqin për veprën, krim kundër popullatës civile.

Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohej që gjatë muajve korrik-gusht të vitit 1998, në fshatin Bellopojë ka marrë peng të dëmtuarën T. K., në atë kohë 60-vjeçare.

Baçeviq në natën kritike me armë automatike fillimisht nga distanca gjuan në drejtim të dritareve dhe kulmit, ku e dëmtuara ishte duke qëndruar.

Pastaj duke përdorur forcën arrin që të hyjë brenda shtëpisë, dukë dëmtuar gjësende me pretekstin se është dukë kërkuar për njerëz të tjerë.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i akuzuari nën kërcënimin e armës nxjerr nga shtëpia të dëmtuarën, ku bashkëshortit të T. K. i thotë që të njëjtën mund ta marrë në shtabin e ushtrisë vetëm pasi t’i dorëzojë pjesëtarët e UÇK-së.

Tutje në aktakuzë thuhet që Baçeviq të dëmtuarën e dërgon te një shitore e fshatit ku e mbështet për muri vazhdimisht duke i drejtuar tytën e armës dhe i rri në një distancë shumë të afërt më qëllim të poshtërimit në prezencë të shumë personave të tjerë.

Sipas Prokurorisë, në këtë rast ndërhyn Momqillo Saviq duke u përleshur më të akuzuarin dhe duke e goditur me grushte në kokë, ku pastaj i ndihmon të dëmtuarës që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë veprim sipas Prokurorisë Speciale Svetomir Baçeviq ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullatës civile.

Baçeviq ndodhet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2020.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK