Seanca në rastin e njohur si "Veteranët"

Të akuzuarit në rastin “Veteranët” japin fjalën përfundimtare në gjykatë

Sot u mbajt seanca e fundit në gjykimin e rastit të njohur si “Veteranët”. Brenda ditëve pritet që të jepet edhe aktgjykimi për këtë rast.

Në këtë rast të akuzuar janë, ish- Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Aktakuza i ngarkon ata me keqpërdorim detyre, përkatësisht për ‘fryrje të listave’ të veteranëve.

Në këtë gjykim sot palët kanë dhënë fjalën përfundimtare, me ç’rast Pokuroria Speciale ka kërkuar dënim për të gjithë të akuzuarit ndërsa mbrojtësit kanë kërkuar lirim nga akuza.

Prokurori Valdet Gashi, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe e elaboroi shkurt duke shtuar se personat e akuzuar në këtë rast nuk e kanë përmbushur detyrën zyrtare të tyre duke tejkaluar kompetencat e tyre.

Sipas prokurorit Gashi, këta të akuzuar ia kishin mundësuar personave të cilët nuk i kishin përmbushur kriteret statusin e veteranit të luftës, duke e dëmtuar Buxhetin të Kosovës.

“Do të thotë personat qe si kanë mbushur kriteret për statusin e veteranit këtë ia kanë mundësuar, të njëjti përmes këtij intervenimi kanë shkaktuar Buxhetin e Kosovës, që vazhdon edhe sot, për veq aspektit material veprimet e te pandehurit do të ndikoj negativisht edhe ne të ardhmen mësim ne tërësi pranë aktakuzës të ngritur kundër të pandehurve”, tha Gashi.

Sipas prokurorit Buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro.

Avokati Ramë Gashi, i cili e mbron të akuzuarin Agim Çeku, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe e elaboroi shkurtimisht.

Kurse i akuzuari Agim Çeku para gjykatës tha se u befasua nga fjala përfundimtare e prokurorit Valdet Gashi.

“U befasova shume nga fjala përfundimtare e prokurorit që duke dëgjua ata mu dok qe pe dëgjoj një njeri se fare nuk ka qene prezent ne asnjë seancë gjyqësore në këtë proces”, tha Çeku

Çeku deklaroi se gjatë gjithë jetës ka punuar gjithmonë sipas ligjit.

Më pas i akuzuari Çeku shtoi se Prokuroria Speciale nuk ka bërë asnjë hetim në lidhje me listat e veteranëve

“Që në fillim pas përfundimit të këtij procesi e kam parë dhe e kam thënë se kjo është një qasje e gabuar e prokurorisë se si tenton t’i pastroje listat e veteraneve, sepse po ja fillon nga kulmi pa bërë asnjë hetim, dhe gjatë këtij procesi nuk dëshmoi asnjë rast të vetëm se ndonjëri nga ata nuk e meriton, e pastaj  t’i shohim a janë 19 mijë a janë 5 apo asnjë, e  atëherë të akuzohen ata”, shtoi Çeku..

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nuredin Lushtaku, avokati Tahir Rrecaj, kërkoi nga gjykata aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

I akuzuari Sadik Halitjaha në fjalën përfundimtare, tha se nga fillimi kjo aktakuzë është konstruktuar me qëllim të caktuar dhe sipas tij deri më tani kjo akuzë nuk ka provuar asnjë provë mbi të cilën është thirrur.

“Këtë akuzë një prokuror i cili u dashtë të jetë këtu nuk është, ua ka lanë “pataten e nxehtë në dorë”,tha ai.

Sipas tij i gjithë ky proces është bërë si një telenovelë, ku shtoi se në këtë rast ka pasur edhe selektime.

“Ana e moralit u shkel shume, u bo taman si një telenovelë çështja jone, këtu është bërë një selektim, Ramadan Rama ka qene komandant e këtu ka ardhur si dëshmitar, Sami Lushtaku ka qene komandant, ka qene vetëm si dëshmitarë”, tha i akuzari Halitjaha.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalilaj, avokati Arianit Koci e ka kundërshtuar fjalën përfundimtare të prokurorit.

“Ky proces  ka nis me një hetim te mangët me një person i cili nuk i ka pasur njohuritë e duhura për çështje qe e heton, ka filluar ndaj një shtrese të cilës kjo shoqëri i ka borxh e ma së shumti i ka neglizhuar  dhe veteranët si kanë marrë as qeto që i takojnë”, tha avokati Koci.

Ndërkaq, i akuzuari Shkuri Buja tha se është viktimë e manipulimeve të shtetit.

“Jam i pafajshëm viktimë e manipulimeve shtetërore”, tha Buja.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë në këtë rast, nga gjykata kërkuan aktgjykim lirues.

Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në shtator të vitit  2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro.

Gjykimi për ‘fryerjen e listave’ të veteranëve të UÇK-së drejt fundit