Të akuzuarit e aferës '2 milionëshi', deklarohen të pafajshëm

Labinot Gruda e Kadri Shala janë deklaruar të pafajshëm kundrejt akuzave të Prokurorisë Speciale për “avullimin” e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Labinot Gruda po akuzohet për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes si dhe shpëlarje e parasë në bashkëkryerje me të pandehurin Kadri Shala.

Ndërsa Kadri Shala po akuzohet për veprat penale shpëlarje e parasë në bashkëveprim me të pandehurin Labinot Gruda edhe për veprën penale ndihma në ndërlidhje me veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Deklarimin lidhur me fajësinë, dy të akuzuarit e bënë në prani të mbrojtësve të tyre, gjykatësit të rastit Arben Hoti si dhe prokurorit të rastit Valdet Gashi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të akuzuarit, Labinot Gruda, avokati Selman Bogiqi.

Avokati Bogiqi për KALLXO.com tha se dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që u vihen ne barrë.

Lidhur me të mbrojturin e tij, të akuzuarin Labinot Gruda, avokati Selman Bogiqi tha se do të ushtrojnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Skandali i zhdukjes së 2.1 milionë eurove nga thesari i shtetit është njëri nga rastet e shënjestëruara nga Prokuroria Speciale.

KALLXO.com ka siguruar dosjen nga Gjykata lidhur me dyshimin e transferimit të mbi 2 milionë eurove nga thesari i shtetit në formë të paligjshme në llogari të një kompanie private.

Në dosjen e siguruar nga KALLXO.com zyrtari i Ministrisë së Financave Labinot Gruda kishte deklaruar se çështja e dy milionëve nuk kishte të bënte me të.

Kurse i akuzuari tjetër Kadri Shala i cili ishte vetë dorëzuar në Polici, para Gjykatës në procedurën paraprake kishte deklaruar se mjetet të cilat i ishin transferuar në xhirollogarinë e tij kishte menduar që ishin transferuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të destinuara për një projekt të cilin e kishte në plan ta realizonte.

Labinot Gruda ishte arrestuar nga Policia në mbrëmjen e 20 tetorit 2020, ndërsa Kadri Shala ishte vetë dorëzuar në Polici më 26 tetor 2020, ku më urdhër të prokurorit ishte dërguar në ndalim, ndërsa pas mbajtjes së seancës dëgjimore ndaj të njëjtëve Gjykata kishte caktuar masën e paraburgimit.

Aktakuzë ndaj Labinot Grudës e Kadri Shalës për skandalin e 2.1 milionë eurove