Universitetit i Pejës, FOTO: Facebook

Të afërmet e rektorit punësohen në Universitetin e Pejës, studentët e denoncojnë

Një kallëzim penal i dorëzuar nga një grup studentësh në Pejë e denoncon rektorin e Pejës për disa shkelje përfshirë për punësimin e disa familjareve të tij në këtë universitet.

Mbesa, e afërmja e bashkëshortes dhe e fejuara e djalit të rektorit Fadil Millaku, punojnë në këtë universitet. Rektori ka mohuar ndikimin për të gjitha këto punësime, madje ai ka thënë se e fejuara e djalit e kishe njoftuar djalin e tij pasi ishte punësuar në universitet.

KALLXO.com po pret për përgjigje edhe nga Prokuroria Speciale ku është dërguar kallëzimi penal. Megjithatë, siç merr vesh KALLXO.com, ata kanë shkuar në universitet për të marrë dokumentet lidhur me këtë çështje.

Përderisa studentët po kërkojnë veprime ligjore ndaj rektorit Millaku, ai konsideron se ky grup studentësh janë të ndikuar për të bërë këto lloj akuzash, derisa ka përsëritur se rektori nuk e ka asnjë lloj mundësie të ndikimit në punësimin e stafit akademik.

Historiku i punësimit të të afërmeve të rektorit

Albulena Avdili, vajza e motrës së rektorit Fadil Millaku punon si Asistente në Fakultetin e Biznesit.

Ajo kishte konkuruar në një konkurs të hapur më 24.12. 2014. Vetë rektori Millaku në një intervistë për KALLXO.com e ka konfirmuar lidhjen familjare me Avdilin duke thënë po ashtu se ajo kishte qenë e angazhuar në këtë universitet para se ai të ishte rektor.

Millaku thotë se nuk kishte pasur asnjë lloj ndikimi në zgjedhjen e saj, duke thekuar se mbesa e tij kishte konkuruar fillimisht në konkursin për Asistente para  të zgjidhej rektor.

Në atë kohë, Avdili nuk ishte propozuar për tu zgjedhur asistente nga Komisioni Recensues i përbërë nga But Dedaj, Halit Shabani dhe Ibish Mazreku për shkak se sipas Komisionit nuk ishte përmbushur kriteri i moshës që sipas rregullores nuk duhet të jetë mbi 28 vjeç.

Megjithatë sipas përgjigjes së universitetit në mbledhjen e lX-të të Senatit të mbajtur me datë 24.07.2015 ishte sqaruar dhe vendosur se  ‘’jo më i vjetër se 28 vjet konsiderohet periudha deri në ditën që kandidati mbush 29 vjet, dhe është rekomanduar që të themelohen komisione dhe kandidatët të vlerësohen sipas meritave dhe kritereve të kërkuara në shpallje”.

Sipas rektorit Millaku, ky komision i cili nuk e kishte propozuar asnjë kandidat në atë kohë, më vonë ishte zëvendësuar me një komision tjetër që më pas e kishte propozuar Avdilin për asistente.

Ky ndërrim i i Komisionit Recensues u bë  në kohën e rektorit Millaku i cili u bë ushtrues detyre i rektorit në tetor të vitit 2015 dhe rektor në vitin 2016.

Këshilli i Fakultetit të Biznesit në mbledhjen e mbajtur me datë 21.09.2015 në njërën nga pikat e rendit të ditës ka shqyrtuar propozimin e Senatit të UHZ-së dhe ka themeluar komisionin e dytë vlerësues në përbërje prej: Prof. Asoc. Dr. Husnija Bibuljica, Prof. Ass. Dr. Bedri Millaku dhe Prof. Ass. Dr. Afrim Selimaj.

Komisioni Recensues e kishte propozuar zgjedhjen e Avdilit si Asistente më 16.10.2015 dhe vendimi për zgjedhjen e saj hyri në fuqi më 01.03.2016.

Avdili u rizgjodh Asistente edhe në vitin 2019.

“Kur është hapur konkursi në 2014-tën ka qenë një problem, puna e moshës. Me rregullore mosha shkruan me 28 vjet nënkuptohet deri në ditën kur i mbush 29 vjet, Komisioni Recensues ka menduar që 28 vjet i mbush ditën që i bën 28 vjet, për ata [është refuzuar] dhe është bërë komisoni tjetër”, tha rektori.

Ai shtoi se nuk mundet t’ia mohojë konkurimin në universitet asnjë familjari të tij.

“Konkursi nuk është hapur në kohën time, rektori nuk ka qasje në dokumente të kandidatëve. Rektori nuk vendos. Është e drejtë e secilit me konkuru, nuk mundesh dikujt me konkurs me ja mohu edhe me thanë mos konkuro”, shtoi ai.

Vetë Avdili ka thënë se daja i saj nuk ka mundur të ndikojë në punësimin e saj pasi konkursi ishte hapur në kohën kur Millaku nuk ishte rektor.

“Mund të ju konstatoj se në kohën kur unë jam zgjedhë asistente për herë të parë në vitin 2014 në Universitetin Haxhi Zeka, Fakultetin e Biznesit,  Rektor ka qenë Z.Naser Mrasori dhe Rektori i tanishëm z.Fadil Millaku nuk ka pasë asnjë ndikim të vetëm në zgjedhjen time. Konkursi është shpallur në vitin 2014 në kohën kur Rektor ishte Z.Naser Mrasori dhe unë vetëm kam shfrytëzuar të drejtën si qytetare për të konkuruar pasi i kam plotësuar të gjitha kriteret e parapara në konkurs”, tha ajo.

Një tjetër punësim që përmendet në kallëzim penal ka të bëjë me Shyhrete Muriqin që është vajza e nipit të bashkëshortes së rektorit Millaku.

Muriqi punon si Asistente në Fakultetin e Agrobiznesit dhe ka nënshkruar kontratë në korrik të vitit 2019.

“Shyhrete Muriqin kurgjë nuk e kam. Masi u pranu pas 4-5 muajve e kam pa që është kandidatja Shyhrete Kukaj-Muriqi. Është qika e djalit të vëllait të gruasE njëjta procedurë si për Albulenën është zhvilluar edhe për Shyhrete Muriqin. Prej të gjithë kandidatëve e vetmja ka qenë që i përgjigjet lëndëve të Fakultetit të Bujqësisë, Agrobiznesit”, tha ai.”, tha Rektori për KALLXO.com

Vet kandidatja në përgjigje për KALLXO.com ka thënë se aktualisht është  kandidate për PhD  në Hungari, në vitin e fundit të   studimeve/duke punuar në temë  (me bursë të fituar nga shteti Hungarez). Ajo po ashtu ka thënë se  studimet Master dhe Bachelor i ka përfunduar në UP (FBV-Agroekonomi).

“Prof.Dr Fadil Millaku nuk ka pasur ndikim në punësimin tim, madje ai nuk ka qenë në dijeni për aplikimin tim në këtë pozitë. Konkursi ka qenë i jashtëm, të gjitha kriteret e konkursit i kam plotësuar (mosha, gjuha e huaj, nota mesatare, kualifikimet etj), gjithashtu vlenë të ceket që kam qenë e vetmja kandidate me kualifikim në shkencat bujqësore”, tha ajo.

Sa i përket punësimit të Florjana Zogajt në bazë të konkursit të datës 12.09.2019 në pozitën Zyrtare për Protokoll në Zyrën e Karrierës, Rektori po ashtu mohoi ndonjë ndikim.

Ai e konfirmoi se Zogaj është e fejuara e djalit të tij por tha se ata dy janë njoftuar pasi Zogaj veçse ishte pranuar në universitet.

“Nuk është reja ime. Kur është pranuar Florjana djali është njoftu me të në zyrën e karrierës”, tha Rektori.

Sipas rektorit ai asnjëherë nuk do të bënte favorizim të familjarëve të tij që tashmë punojnë në universitet.

Vet Zogaj tha se nuk e ka njohur askënd nga familja e rektorit para punësimit të saj.

“Në familjen time askush nuk është i punësuar në sektorin publik. Sa i përket punësimit tim unë jam angazhuar në Universitetin “Haxhi Zeka” Pejë, që nga data 18 prill 2019, në pozitën Zyrtare për Zhvillim të Karrierës. Kam aplikuar dhe i jam nënshtruar të gjitha procedurave sipas ligjit për shërbyesit civil.  Më pas kam aplikuar në poziten Zyrtare për Protokol. Konkursi ka qenë publik dhe sipas vlerësimit të komisionit, nga të gjithë aplikantët unë kam arritur të përmbush kriteret e përcaktuara me konkurs. Në atë kohë nuk e kam njohur askënd nga familja e Rektorit. Më vonë jam njoftuar me tashmë të fejuarim tim e që është djali i Rektorit”, tha ajo.