Taulant Kryeziu pritet ta zëvendësojë Shpejtim Bulliqin si deputet i Vetëvendosjes në Kuvend

Anëtari i Vetëvendosjes, Taulant Kryeziu, pritet që ta zëvendësojë Shpejtim Bulliqin, si deputet të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës.

Bulliqi i cili shënoi fitore në zgjedhejt e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, në zgjedhjet e fundit për Kuvend të Kosovës të 6 tetorit 2019, kishte fituar 10 mijë e 178 vota por tani ai duhet ta lë ulësen në Kuvend për ta marrë postin e kryetarit të komunës.

Ndërsa Taulant Kryeziu në këto zgjedhje kishte marrë 6 mijë e 969 vota. Ai pritet ta zëvendësojë Bulliqin pasi është kandidati i radhës me më shumë vota të fituara në zgjedhje, pas 5 deputetëve, të cilët kishin zëvendësuar deputetët që ishin emëruar në pozita në Qeverinë e Albin Kurtit.

Enver Haliti kishte zëvendësuar Albin Kurtin; Fitim Haiziri kishte zëvendësuar Arben Vitinë; Alban Hyseni kishte zëvendësuar Glauk Konjufcën; Arta Bajralija kishte zëvendësuar Albulena Haxhiun dhe Eman Rrahmani me 7 mijë e 44 vota të fituara, kishte zëvendësuar Haki Abazin.

Pas Eman Rrahmanit me më shumë vota ta fituara nga rradhët e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 6 tetorit, është pikërisht Taulant Kryeziu.

Kryeziu kishte aderuar në gusht të vitit 2019 në Vetëvendosje, ndërsa më herët ka qenë pjesë e shoqërisë civile.