
Taulant Kryeziu emërohet zëvendësministër i Integrimeve Europiane
Anëtari i i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kryeziu, është emëruar sot zëvendësministër në Ministrinë e Integrimeve Europiane.
Këtë lajm e ka bërë publik vet Kryeziu në profilin e tij në Facebook, duke thënë që është koha që vendi të udhëhiqet ‘drejt së ardhmes të ndritur të prirë nga të rinjtë e Kosovës’.
“Sot me ndjenjë të madhe të përgjegjësisë kam pranuar detyrën e Zëvendës Ministrit të Integrimit Evropian. Jam i lumtur që në detyrën e re i bashkohem ekipit të jashtëzakonshëm në MIE të udhëhequr nga profesori Blerim Reka”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas Kryeziut, Kosovën e pret një punë e madhe në agjendën unifikuese europiane, duke shtuar se është i gatshëm të punojë më të gjithë kabinetin qeveritar për përmbushjen e kësaj agjende.
“Jam i vetëdijshëm se suksesi jonë varet nga shumë miq, kolegë dhe partnerë. Agjenda Evropiane është agjendë më unifikuese e shoqërisë tonë. 90% e qytetarëve të Republikës së Kosovës mendojnë se anëtarësimi në BE është gjë e mirë. Suksesi im do varet nga puna ekipore e gjithë kabinetit qeveritar. Unë do jem çdo herë në përkrahje të secilit ministër për të siguruar zbatimin e MSA-së në çdo fushë të qeverisjes”, ka shkruar ai.
Sipas tij besimi i 90% qytetarëve shkon përtej një partie politike apo qeverie.
“Procesi i integrimit Evropian kërkon përkrahje konsensuale të gjithë spektrit politik. Në këtë drejtim, deputetet e Kuvendit të Kosovës do të më kenë partnerë të besueshëm për të siguruar avancimin e konsensusit politik në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.
Taulant Kryeziu ka qenë analist i çështjeve të integrimit europian në institutin Epik.
Ai ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet të Kosovës por ka marrë vetëm 6 mijë 968 vota, të pamjaftueshme për t’i siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.