“Tash është kohë zgjedhjesh, lloj-lloj deklaratash dëgjoni”– Presidentja Osmani për deklaratat e Behgjet Pacollit

“Tash është kohë zgjedhjesh, lloj-lloj deklaratash dëgjoni” – ka thënë shkurt presidentja, Vjosa Osmani, kur është pyetur nga KALLXO.com lidhur me deklaratat e Behgjet Pacollit, i cili pretendon se ajo dhe kryeministri Albin Kurti i kanë kërkuar që të komunikojë me Milan Radoiçiqin për t’i siguruar votat që do të mundësonin zgjedhjen e presidentes.

Pa u lëshuar në komentime të tjera rreth kësaj çështjeje, presidentja Osmani u ka sugjeruar gazetarëve që për çfarëdo pyetje t’i drejtohen zyrës për media në Presidencë.

Kështu është shprehur ajo teksa bashkë me Zotëriun e Parë, Prindon Sadriun, i ishin bashkuar shumë qytetarëve në Prishtinë në marshin kundër kancerit të gjirit.

Behgjet Pacolli, kryetari i Aleancës për Kosovën e Re (AKR), ka thënë më 16.10.2024 për Tëvë1 se ka biseduar me Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe – tash kryeterrorist për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Pacolli pretendon se biseda me Radoiçiqin ishte kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani dhe ishte realizuar në praninë e tyre.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, pati reaguar duke thënë se është e pakuptimtë që një ish-ministër të deklarojë një të pavërtetë të tillë.

Por, këtë përgjigje të Kryeziut, Pacolli e ka quajtur gënjeshtër.

“Por, dëshpërimi është i madh. Kur e sheh që njeriu i Qeverisë apo Qeveria, flet në emër të Qeverisë dhe thotë se nuk është e vërtetë. Ai [Kryeziu] gënjen. Nuk është natyra e ime të shkoj dhe ta denoncoj një gjë të tillë… unë nuk mund të gënjej, e kam thënë ashtu siç ka qenë” – ka deklaruar Pacolli më pas në RTV Dukagjini, më 17.10.2024.

Pacolli ka shpjeguar më tej se ngjarja ka ndodhur në 12:30 pas mesnatës. Ai tha se e kanë thirrur në Parlament dhe ka shkuar në zyrën private të Osmanit, që atëherë ishte kryetare e Kuvendit. Pacolli po ashtu ka thënë se ka qenë edhe me një person tjetër, duke shtuar se “më duket se ka bërë edhe disa fotografi në atë mbrëmje”.

“Zoti Kurti ka qenë i ulur para meje, këmbën mbi këmbë. Në anën tjetër ka qenë zonja Osmani. Unë isha kthyer nga Turqia me kërkesën e tyre, me një avion privat, duke paguar goxha shumë para për të votuar për presidenten. Pasi, më thanë sa isha në Stamboll, se mungon vetëm vota ime. Dhe formimi i Qeverisë është në duart e mia, unë nuk kam mund mos me u kthye. Dhe atë natë më kanë thënë se mungojnë edhe votat e tjera dhe më thonë: “Zoti Pacolli, ju, si gjithmonë gjeni një zgjidhje”. Unë u kam thënë se është vështirë, t’i drejtohem dikujt tjetër nga partitë e tjera, pasi hasmëria ka qenë goxha e madhe. Por që mbetet vetëm Lisa Serbe, ajo ka qenë në parlament. Dhe ka pasur deputetët e vet” – ka shtuar Pacolli.

Më tej Pacolli tregoi se e ka thirrur ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Sipas tij, pas një hezitimi fillestar nga Radoiçiqi, një telefonatë e mëvonshme bëri që deputeti Adem Hoxhiq të merrte pjesë në votim.

“Unë kam pasur një komunikim me zotin Radoiçiq. Ju e dini se jam takuar me të edhe në jaht. Rastësisht e kam takuar dhe e kam ditur kush është. Dhe ai emër është dëgjuar kur është bërë nënkryetar i Listës Serbe. Dhe kam thënë se ndoshta e gjej numrin e tij të telefonit te një koleg i juaj. Kam telefonuar një gazetar dhe ma kanë dhënë numrin  tij. Kam thënë se vetëm këtë me lut. Me e pyet. Nëse dëshiron ai. Dhe më kanë thënë: sigurisht që po, sepse ‘ata janë deputetë të Kuvendit të Kosovës’. Dhe unë e kam thirrur atë. Në momentin e parë (Radoiçiqi) nuk ka pranuar me dërgu askënd. Dhe kam qenë me shoferin duke shkuar në shtëpi, në makinë, kur më ka thirrë dhe më ka thënë: “Shiko po më vjen shumë rëndë mos me implementu këtë që po ma kërkon”. Më thotë nesër në ora tre, deputeti Adem Hoxha është para Parlamentit dhe do të jetë prezent. Dhe kjo ka ndodhur. Besoj që i kam shërbyer vendit dhe zotit Kurti dhe zonjës presidente” – ka shtuar Pacolli.

Me 71 vota për, më 4 prill 2021 Kuvendi kishte zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës.