Pasaporta e Republikës së Kosovës Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com
Tarifat e reja konsullore, shtrenjtohet humbja e shtetësisë së Kosovës, lirohet fitimi i shtetësisë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka vendosur tarifa të reja konsullore.
Me tarifat e reja konsullore, mërgimtarët do ta kenë më lirë të fitojnë shtetësinë e Kosovës, dhe më shtrenjtë ta humbasin.
Të gjitha tarifat e tjera janë ulur përpos dy të cilat Ministria përkatëse ka vendosur që t’i rrisë. Përkundër që tarifa për rikthimin e shtetësisë është vendosur të jetë falas si për të gjithë, tarifat e vetme që janë rritur janë ato për personat që vendosin ta humbasin shtetësinë e Kosovës.
“Rifitimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik sepse ai lidhet me shumë të drejta që janë të rezervuara për vetëm qytetarët e Kosovës, si p.sh. të drejtën për të votuar. Ky hap që kemi ndërmarrë nuk është i detyrueshëm për askënd, por është thjesht ofertë”- ka thënë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të strukturës së re.
Nga 670 euro që ka qenë tarifa për humbjen e shtetësisë për personat mbi moshën 18-vjeçare, është ngritur në 1,350 euro. Ndërkaq, për personat nën moshën 18-vjeçare nga 370 euro është bërë 750 euro.
Kjo strukturë e re e prezantuar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, vë në pah se nga 50 euro për pajisje me letërnjoftim biometrik, ka një zbritje prej 20 eurosh, apo 30 euro nëpër konsullata.
Ndërsa, për t’u pajisur me pasaportë personat mbi moshën 18-vjeçare do të paguajnë 100 euro, ndryshe nga çmimi i mëhershëm i cili ishte 150 euro. Ndërkaq për personat nën moshën 18-vjeçare, tarifa ka zbritur nga 100 në 60 euro.
Kurse për cerifikata të lindjes, shtetësisë, martesës, vendbanimit, gjendjes martesore dhe bashkësisë familjare, nga 30 euro ka zbritur në pesë euro për të gjitha kategoritë moshore.
Për të fituar shtetësinë e Kosovës, mbi 18-vjeçarët do të paguajnë 180 euro, apo përgjysmë më lirë sa ishte më herët 370 euro. Për personat nën moshën 18-vjeçare, sipas strukturës së re të MPJD-së, do të paguhet 80 euro ndryshe nga sa ishte në vitet paraprake 200 euro.
Nga 15 euro është bërë falas vendosja dhe vulosja e fotos në certifikatë. Njëjtë edhe për vërtetimin për pension që më parë ishte 30 euro.
Gjatë vitit të kaluar më shumë persona janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës sesa që e kanë fituar.
Këto të dhëna i ka vënë në pah një raport vjetor i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për periudhën kohore janar-dhjetor 2023.
Nga 3,108 kërkesa për lirim nga shtetësia e Republikës së Kosovës, 3,098 personave u është aprovuar kërkesa e tyre. Ndërkaq, nga 1,259 kërkesa për fitim të shtetësisë së Kosovës, 708 prej tyre e kanë fituar.
Sipas raportit të vitit 2023, në Divizionin e Shtetësisë kanë aplikuar 3,108 persona për lirim nga shtetësia dhe janë marrë 3,143 vendime, prej tyre 98.6% vendime pozitive, 1.4 % vendime negative.
Kërkesa për humbjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës parashtrohet personalisht në zyrën gjendjes civile apo në misionin diplomatik apo konsullor të Republikës së Kosovës.
Më së shumti kërkesa për lirim nga shtetësia kosovare janë bërë në Gjermani ku nga 2,487 kërkesa, 2, 507 prej tyre janë aprovuar; në Austri 413 nga 432 kërkesa; në Slloveni 96 nga 100 kërkesa; në Mal të Zi 25 nga 27; në Kroaci 16 nga 18; dhe 41 nga 44 të tjera.
Në anën tjetër, dukshëm është numër më i vogël i kërkesave për fitim të shtetësisë kosovare.
Po ashtu gjatë kësaj periudhe, sipas raportit kanë aplikuar 1,259 persona për fitim të shtetësisë dhe janë marrë 1,453 vendime; 48.7% vendime pozitive dhe 51.3% vendime negative.
Nga 1,259 kërkesa, 708 prej tyre kanë fituar të drejtën e shtetësisë kosovare.