Talibanët vrasin liderin e Shtetit Islamik

Organizatori i grupit Shteti Islamik që mendohej se e kishte planifikuar bombardimin shkatërrues të vitit 2021 në aeroportin e Kabulit është vrarë nga talibanët në pushtet në Afganistan, thonë zyrtarët amerikanë, raporton BBC

Bombardimi në muajin gusht la të vrarë 170 civilë dhe 13 ushtarë amerikanë, ndërkohë që njerëzit po përpiqeshin të largoheshin nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin.

Organizatori në fjalë i Shtetit Islamik u vra javë më parë, por u desh kohë për ta konfirmuar vdekjen e tij, thanë zyrtarët amerikanë për partnerin e lajmeve të BBC-së, CBS. Emri i tij nuk është bërë i ditur.

Zyrtarët amerikanë thanë se e kishin përcaktuar përmes mbledhjes së inteligjencës dhe monitorimit të rajonit se lideri kishte vdekur, megjithëse nuk dhanë detaje të mëtejshme se si kishin mësuar se ai ishte përgjegjës për bombardimin.

“Ekspertët në qeveri kanë besim të madh se ky individ… është me të vërtetë personi kryesor përgjegjës”, ka deklaruar një zyrtar i lartë amerikan për CBS.

Sipas një raporti në New York Times, SHBA mësuan për vdekjen e liderit në fillim të prillit. Është e paqartë nëse ai ishte në shënjestër të talebanëve apo nëse u vra gjatë luftimeve të vazhdueshme midis Shtetit Islamik dhe talebanëve, raportoi gazeta.

Shpërthimi fatal kishte ndodhur disa orë pasi qeveritë perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të qëndronin larg Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit, për shkak të një kërcënimi të menjëhershëm të një sulmi nga S IS-K, dega në Afganistan e grupit të Shtetit Islamik.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 18:00 me orën lokale më 26 gusht të vitit 2021 në Portën e Abbey për në aeroport, kur një kamikaz hyri në mes të familjeve që prisnin jashtë portës.

Turma të mëdha ishin mbledhur në zonë, duke shpresuar se do të pranoheshin në një fluturim evakuimi ndërkohë që trupat amerikane tërhiqeshin nga Afganistani.

Ndër viktimat ishin edhe dy shtetas britanikë dhe fëmija i një shtetasi britanik, pati njoftuar qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në atë kohë.

SHBA ndërmorri një sulm me dron në Kabul ditë më vonë, duke thënë se kishte shënjestruar një kamikaz, vetëm për të pranuar se raketa kishte vrarë 10 civilë, përfshirë shtatë fëmijë.

Ata më vonë ofruan një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për këdo që kishte informacion që çonte në arrestimin ose dënimin në çdo vend të atyre që janë përgjegjës për sulmin, ose për kapjen e udhëheqësit të ISIS-K Sanaullah Ghafari.

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani në gusht të vitit 2021 shënoi fundin e luftës më të gjatë të Amerikës.

Kjo tërheqje çoi në rënien e qeverisë dhe ushtrisë afgane, të cilën qeveria amerikane e kishte mbështetur për dy dekada. Tërheqja amerikane rezultoi po ashtu me kthimin e pushtetit tek talebanët./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala