Talibanët mbulojnë muralet e artistëve afganë

Regjimi taliban i rivendosur në Afganistan ka nisur të shtrijë ndikimin edhe në artin afgan.

Murale të shumta të pikturuara nga artistët afganë po mbulohen nga talibanët pasi kanë marrë pushtetin në vendin aziatik.

Artistë afganë kanë publikuar në rrjetet sociale mbulimin e muraleve ndërsa për këtë po raportojnë edhe mediat e huaja.

Artistët raportojnë se vetëm pak javë pas marrjes së kontrollit regjimi taliban ka mbuluar shumë vepra të artit të rrugës (muralet) me parulla propagandistike.

Një artist afgan ka postuar në profilin e tij në Facebook se si është mbuluar murali i tij nga një parullë propagandistike në Kabul.

“Dhe filloi. Talibanët kanë filluar të pikturojnë mbi muralet tona. Ata filluan me atë historike që shënoi nënshkrimin e ‘Doha Deal”. ‘Baradar Khalilzad Mural’  nuk është më. Në vend të kësaj, mesazhi bardh e zi thotë mos i besoni propagandës së armikut, duke cituar Mullah Haibatullahun”, ka shkruar artisti afgan në Facebook, emri i të cilit për arsye siguri është fshirë (mbuluar).