![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2020/11/Harta-e-afganistanit-720x405.gif)
Talibanët ia ndalojnë hyrjen raportuesit special të OKB-së për të drejtat e njeriut
Talibanët ia kanë ndaluar hyrjen në Afganistan raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Richard Bennett, ka bërë të ditur një zëdhënës i administratës talibane, ka raportuar transmetuesi lokal Tolo, duke akuzuar monitoruesin e të drejtave të njeriut se po “përhap propagandë”.
Reuters raporton se Bennett ishte emëruar prej Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së më 2012 për të monitoruar gjendjen e të drejtave të njeriut në Afganistan pasi talibanët e morën pushtetin një vit më parë.
Bennett, i cili më parë kishte thënë se trajtimi i grave dhe vajzave nga talibanët mund të përbënte krim kundër njerëzimit, qëndron jashtë Afganistanit, porse e kishte vizituar disa herë vendin në kuadër të hulumtimeve për gjendjen në terren.
Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së nuk e ka komentuar menjëherë lajmin pavarësisht kërkesës së Reutersit për koment.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabibullah Mujahid, kishte thënë më parë se talibanët respektojnë të drejtat e grave në pajtim me interpretimin e tyre të sheriatit islamik dhe traditave lokale. Ai ka deklaruar për Tolo se Bennett nuk do të lejohet të hyjë në Afganistan, një vendim i rrallë publik për ndalim të hyrjes një individi të huaj.
“Udhëtimi i zotit Bennett në Afganistan është ndaluar për shkak se është ngarkuar me detyrën e përhapjes së propagandës në Afganistan. Ai nuk është dikush që i besojmë… ai nisi të ekzagjeronte çështje të vogla dhe t’i propagandonte ato”, ka deklaruar Mujahid për Tolon. Zyra e tij nuk i është përgjigjur kërkesës së Reutersit për koment.
Tri vjet pas sundimit të tyre pas tërheqjes së forcave të huaja, talibanet nuk janë njohur zyrtarisht nga asnjë qeveri e huaj.
Zyrtarët e huaj, përfshirë ata amerikanë, kanë thënë se mundësia e njohjes së tyre është e lidhur pashkëputshëm me ndryshimin e qasjes së tyre për respektimin e të drejtave të njeriut. Talibanët nuk i lejojnë vajzat mbi 12 vjeçe të shkojnë në shkollë dhe në universitet, ua ndalojnë grave daljen në parqe dhe nuk i lejojnë të udhëtojnë në distanca të largëta pa u shoqëruar prej një burri.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com