Ilustrim

Talibanët i fshikullojnë me kamxhik 14 persona në një stadium me plot spektatorë

Gjykata e Lartë e udhëhequr nga Talibanët në Afganistan të mërkurën tha se katërmbëdhjetë persona janë fshikulluar me kamxhik në një stadium futbolli në lindje të Afganistanit. Ky rast është treguesi i fundit i grupit militant të linjës së ashpër që e zbaton interpretimin e tij të rreptë të ligjit të Sheriatit.

“Katërmbëdhjetë persona, përfshirë tri gra u fshikulluan në prani të dijetarëve, autoriteteve dhe njerëzve … për mëkate të ndryshme duke përfshirë tradhtinë bashkëshortore, grabitjen dhe forma të tjera të korrupsionit në një stadium futbolli në Logar (provincë),” thuhej në komunikatën e lëshuar nga Gjykata e Lartë në Afganistan.

Qindra spektatorë ishin dëshmitarë të këtij dënimi

Sipas një deklarate të lëshuar nga gjykata, udhëheqësi suprem shpirtëror i talebanëve Hibatullah Akhundzada ishte takuar me gjykatësit dhe ka deklaruar se dënimet duhet të kryheshin në përputhje me ligjin e Sheriatit.

Zyra e guvernatorit të provincës Logar, e vendosur në jug të Kabulit, tha se kishte ftuar “dijetarë të nderuar, muxhahidinë, pleq, udhëheqës fisnorë dhe njerëz lokalë” në stadiumin e futbollit të qytetit të Pul Alam.

Një zyrtar qeveritar i cili foli për agjencinë e lajmeve AP në kushte anonimiteti tha se qindra njerëz kishin marrë pjesë në dënim dhe se ata që u ndëshkuan morën nga 21 deri në 39 goditje me kamxhik secili.

Gjatë sundimit të talebanëve nga viti 1996-2001, rrahjet me kamxhik, amputimet dhe vdekja me gurë ndodhën në vende publike dhe në prani të audiencës.

Veprimet e grupit militant janë vëzhguar nga afër nga komuniteti ndërkombëtar që nga marrja e pushtetit në Afganistan në gusht të vitit 2021, në veçanti historiku i të drejtave të njeriut dhe qëndrimi ndaj të drejtave të grave.

Gratë u privuan nga shkollimi i arsimit të mesëm kur talebanët u tërhoqën nga angazhimi për t’i hapur të gjitha shkollat ​​e mesme për vajza në muajin mars.

Në fillim të këtij muaji, “policia e moralit” e Afganistanit urdhëroi që të gjitha parqet argëtuese në këtë vend tani duhet ta refuzojnë hyrjen për gratë, në reduktimin e fundit të lirisë për gratë.

Deri më sot, asnjë vend në botë nuk e ka njohur zyrtarisht qeverinë talebane./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala