Taksitë e Prishtinës i rikthehen punës

Shoqata “Pasagjeri” ka njoftuar se kompanitë e taksive të licencuara nga Komuna e Prishtinës i janë rikthyer punës.

Kompanitë e taksive kanë njoftuar që nga sot do të punojnë me fillim nga ora 07:00.

Në njoftimin e tyre thuhet se janë marrë të gjitha masat dezinfektuese dhe të mbrojtjes.

“Pas kërkesava tuaja të shumta, ju njoftojmë se që nga data 20.03.2020 do të fillojmë punën përsëri duke qenë të kujdesshëm së bashku me ju! Mundohuni të qëndroni në shtëpi dhe t’a përdoni transportin vetëm kur është e domosdoshme”, thuhet në njoftimin e shoqatës “Pasagjeri”.

Më 14 mars, e njëjta shoqatë, kishte njoftuar se kompanitë do ta pezullonë punën me rekomandimin e Qeverisë së Kosovës dhe masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit corona ata do të pezullojnë punën deri në përmirësimin e gjendjes.

Që nga 13 marsi deri më sot, në Kosovë janë shënuar 21 të prekur me coronavirus. Ndërsa në botë numri i të prekurve ka arritur në 246,773. Sipas të dhënave të fundit, numri i personave të vdekur si pasojë e virusit corona ka shkuar në 10,062 kurse i atyre të shëruar në 88,488.

Kina edhe më tutje mbetet shteti me më së shumti të prekur me coronavirus, gjithsej 80,967 por nga ana tjetër është shteti me më së shumti të shëruar nga ky virus, 71,150 persona.

Pas Kinës, shteti me më së shumti të prekur nga virusi corona është Italia. Numri i të prekurve në Itali ka shkuar në 41,035. Italia ia ka kaluar edhe Kinës për nga numri i personave të vdekur nga virusi corona. Në Itali, numri i të vdekurve ka shkuar në 3,405 përderisa në Kinë, edhe pse ka dyfish më shumë persona të prekur, ka vetëm 3,248 të vdekur.