Kandidatët e AAK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

"Taksa e luksit": Koalicioni AAK-Nisma premton ndryshim të politikave tatimore në Kosovë

Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal në Program zgjedhor parasheh të bëjë ndryshime në politikat tatimore në vend.

Nëse ky Koalicion vjen në pushtet, planifikon ta vë në funksion tatimin mbi karbonin, tatimin mbi luksin dhe ndotjen, tatimin mbi transaksionet dhe tatimin mbi shitjet online.

Duke folur për këto tatime, kandidati për Deputet Arton Demhasaj tha se politika të tilla ndjekin edhe vendet e tjera.

“Secili shtet veç e ka vendos tatimin mbi karbonin, kështu që edhe ne duhet me shku (në këtë drejtim), por kjo duhet të bëhet me bazë ligjore. Ka me pasë edhe ulje të tatimit, që paguhet për energjinë elektrike.” – tha ai.

Në obligim për të paguar tatim, sipas Demhasajt, do të hyjë edhe për bizneset që kryejnë aktivitetet e tyre online, pasi që një pjesë e madhe e ekonomisë, sipas tij, sot po operon në këtë mënyrë.

Një tatim tjetër i ri që do t’i shtohet Kosovës, nëse ky Koalicion vjen në pushtet, është tatimi mbi luksin dhe ndotjen. Ky tatim, sipas Demhasajt, lidhet me ndotjen: “d.m.th kushdo që shkakton ndotje… atëherë, ti e cakton një taksë.” – tha Demhasaj.

Ndërsa, Artan Nimani tha se të gjitha këto ndryshime janë në përputhje me politikat tatimore të Bashkimit Europian (BE).

“Taksat shtesë janë në përputhje me projeksionet e BE-së. Ne duhet t’i orientojmë politikat tona tatimore me projeksionet e BE-së.” – tha Nimani.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.

E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Zotimet e Koalicionit AAK-Nisma: Termocentral me thëngjill, rritje pagash e funksionalizim të Aeroportit të Gjakovës