‘Taksa e gjelbër’ prej 10 eurove dhe mënyra si do funksionojë ‘Prishtina Parking’

Komuna e Prishtinës në qershor të këtij viti ka funksionalizuar ndërmarrjen lokale ‘Prishtina Parking’ e cila ka për qëllim të krijojë parkingje të reja dhe të reduktojë tollovinë në qytet.

Sipas Komunës së Prishtinës këto parkingje do bëhen në çdo hyrje të qytetit dhe brenda në qytet, kurse çmimet do variojnë në bazë të zonës ku parkohen.

Miranda Mullafazliu nga Zyra për Informim e Komunës së Prishtinës për KALLXO.com ka thënë se Kuvendi Komunal në vitin 2019 ka miratuar rregulloren për shfrytëzimin e parkingjeve në Prishtinë, ku edhe iu dha e drejta për menaxhim Ndërmarrjes  “Prishtina Parking”.

“Në mbledhjen e shtatë të vitit 2019, Kuvendi Komunal miratoi rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës, përmes së cilës, të drejtën për menaxhimin e këtyre hapësirave e ka NPL “Prishitina Parking” Sh.A.​Kuvendi po ashtu ka aprovuar edhe çmimoren për parking në  zonat e ndryshme ne Prishtinë.,” ka thënë Mullafazliu.

Për çështjen e taksës së gjelbër Mullafazliu i është referuar deklaratës së kryetarit Shpend Ahmeti, i cili tha se qëllimi i saj është shëndeti i qytetarëve dhe se është ende në diskutim.

E ashtuquajtura “Taksë e gjelbër” me çmim prej 10 eurove për ata që duan të futen më veturë në qendër ka nxitur shumë reagime nga qytetarë të qyteteve tjera.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është deklaruar lidhur me këto reagime duke vënë shëndetin si çështjen primare në marrjen e këtij vendimi.

Ahmeti gjithashtu tha se meqenëse rrugët në qendër nuk ka mundësi të zgjerohen, zgjidhja e  vetme është zgjerimi i rrugëve alternative dhe vënia e taksës për lëvizje.

Ahmeti këtë lloj takse për lëvizje e krahasoi me atë të Londrës e njohur si Congestion Charge (Taksë e uljes së tollovisë).

Sipas planit të ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’ ata që paguajnë parkingun në hyrje të qytetit, transportin urban do ta kenë falas me biletë të parkingut.

Detaje lidhur me ‘Taksën e gjelbër” nuk janë dhënë pasi sipas Komunës është ende në diskutim.

Mullafazliu gjithashtu ka ndarë edhe detaje se si do bëhet pagesa në zona të ndryshme në qytet.

Parkingjet do të jenë të ndara në tre zona:

Zona 1 e cila është qendra e qytetit dhe rrjedhimisht edhe zona që pritet të ketë çmimin më të madh.

Çmimi për një orë në këtë zonë do të jetë 1 euro për një orë, kurse koha maksimale që do të mund të shfrytëzohet ky parkim do jetë 2 orë nga ora 07:00-19:00.

Bileta ditore( në orarin e lartpërmendur) në këtë parkim kap çmimin prej 7,50 euro.

Zona 2 ka çmim prej 50 cent për një orë me kohë maksimale parkimi prej tre orësh, kurse biletë ditore me vlerë 5,00 euro.

Zona 3 që përfshin periferitë e qytetit do ketë çmim prej 30 cent për një orë, kurse biletë ditore prej 1,50 euro.

Nga Komuna e Prishtinës është vendosur që banorëve të lagjeve tu ofrohet mundësia e ‘Parkimit të Privilegjuar’ me pagesë minimale. Për këtë sipas Komunës banorët duhet të kenë dëshmi të adresës së vendbanimit.

Ky shfrytëzim i ‘Parkimit të Privilegjuar u referohet tre kategorive:

1.Banorët të cilët jetojnë në veturën ku parkimi paguhet

2.Personat juridik, të cilët e kanë selinë e vet në rrugën ku parkimi paguhet, vetëm për vetura zyrtare.

3.Të punësuarit, të cilët punojnë në zonën ku parkimi paguhet.

Parkimi i Privilegjuar do jetë pa kufizim kohor.

KALLXO.com në qershor të këtij viti ka zhvilluar një intervistë me udhëheqësin e ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, i cili ka ndarë detaje lidhur me mënyrën si do organizohen këto parkingje.

Çmimet e parkimit në Komunën e Prishtinës