Takohen Thaçi e Walker, flasin për krijimin e institucioneve

Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me ish-shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker.

Sipas një publikimi në Facebook, Thaçi dhe Walker kanë folur për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Gjithashtu, sipas publikimit në Facebook ata kanë kujtuar edhe krimet e serbëve në Kosovë.

“Në këtë të diel, me ambasadorin William Walker evokuam kujtime nga periudha e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Heroi i të vërtetës për krimet serbe në Kosovë, ambasadori Walker e ngriti krimin në Reçak në rang të ndërgjegjes botërore. Pas Reçakut, diplomacia botërore u angazhua maksimalisht deri në intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe. Gjatë këtij takimi me ambasadorin Walker u theksua edhe domosdoshmëria e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës. Mikun e madh të Kosovës e falënderova edhe një herë për gjithçka që ka bërë për Kosovën”, ka shkruar Thaçi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.