Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në takim me përfaqësues të SBASHK-ut, 03.12.2024. Foto: Ministria e Arsimit

Takohen SBASHK-u e Ministrja e Arsimit, japin versionet e tyre për takimin

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësi i saj, Taulant Kelmendi, kanë pritur në takim kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari dhe anëtarë të tjerë të kryesisë, pas paralajmërimit të këtyre të fundit për protestë.

SBASHK-u tha se ky takim i shkurtër nuk solli rezultate konkrete dhe se ministrja nuk shfaqi gatishmëri për të diskutuar në mënyrë konkrete mbi kërkesat e tyre.

“SBASHK shpreh keqardhje për këtë qasje të Ministres dhe njofton se nesër do të mbahet protesta e paralajmëruar. Gjithashtu, Këshilli Drejtues do të shqyrtojë dhe vendosë për hapa të tjerë sindikalë. SBASHK shpreson që gjatë protestës së nesërme përfaqësues të MASHTI-t të takohen me udhëheqësit e protestës, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme për të dy palët” – ka shkruar SBASHK-u.

Ndërkaq, Ministria tha se dokumentet dhe iniciativat për ndryshime legjislative duhet të trajtohen brenda kornizës ligjore, pasi siç thotë ajo, çdo qasje e njëanshme mund të shkaktojë përçarje mes mësimdhënësve, të pengojë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të mos kontribuojë në “objektivin e përbashkët për rritjen e cilësisë në arsim”.

Për pagat e mësimdhënësve, Ministria tha se kjo është rregulluar me Ligjin për Pagat dhe se rritja e koeficientit përfshin edhe ata. Ndërsa, për kontratën kolektive, thuhet se diskutimi nuk duhet të jetë i njëanshëm dhe as i margjinalizuar.

“Ky diskutim mund të zhvillohet nga BSPK dhe Këshilli Ekonomik Social në nivel qeveritar, sapo të krijohen kushtet e përcaktuara me ligj” – thuhet në njoftim.

Ministria e Arsimit thotë se mbetet gjithmonë e hapur për diskutim.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) pritet që të mërkurën më 04.12.2024, nga ora 12:30 të mbajë protestë para Ministrisë së Arsimit e Qeverisë së Kosovës.

Në një konferencë për media sot, më 03.12.2024, SBASHK paraqiti kërkesat e tij dhe agjendën e protestës, e cila është planifikuar të zgjasë deri dy orë e gjysmë.

Nëse nuk ka reflektim nga Ministria e Arsimit për kërkesat e tyre, ata thonë se nuk përjashtojnë mundësinë e grevës së përgjithshme.

SBASHK e dorëzoi një draft të kontratës kolektive në Ministri të Arsimit më 02.10.2024 dhe ankohej se nuk ka pasur dialog mes tyre e Ministrisë për këtë çështje e as nuk është nënshkruar kjo kontratë deri më sot.

Përveç mosnënshkrimit të kontratës kolektive, përfaqësuesit e SBASHK janë shprehur të pakënaqur edhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, pasi thoshin se nuk po i takon që nga shtatori i vitit 2022.