Takohen rektorët e universiteteve publike, thonë se po luftojnë ndikimet politike

Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka pritur në takim sot rektorët e tjerë të universiteteve publike.

Në këtë takim, Sahiti iu ofroi mbështetje të plotë Konferencës së Rektorëve.

” Ne jemi të interesuar që të gjitha këto universitete publike të funksionojnë në mënyrën më të përgjegjshme, si dhe të shohim mënyrat më të mira të bashkëpunimit. Ju falënderoj që qysh në fillim keni gjetur kohë të më vizitoni dhe mbështesni”, tha ai.

Kurse kryesuesi i Konferencës së Rektorëve, Bajram Kosumi, deklaroi se së bashku kanë parandaluar ndikimet politike në universitete.

“Lidhja jonë është më shumë se e zakonshme ne jemi universitete te ndryshme por në konferencë të rektoreve konsiderohemi si familje. Jemi të etur për bashkëpunim dhe për të vazhduar punën. Politika u mundua të ç’orientojë universitetet por konferenca e rektoreve i ka bërë të pavarura nga ndikimet e jashtme”, tha Kosumi.

Sahiti është zgjedhur si rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në shtator të këtij viti dhe mandatin e ka filluar më 1 tetor.

Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë me 7 vota pro të Këshillit Drejtues, derisa tani është duke pritur që KD t’ia votojë stafin e tij apo prorektorët.