Foto: Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Takohen prokurorët, flasin për rritjen e efektivitetit në trajtimin e lëndëve penale

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka mbajtur takim me prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorët e prokurorive të Kosovës.

Në njoftim është thënë se Kelmendi në fillim të këtij takimi është interesuar për gjendjen në secilën prokurori, me ç’rast thuhet se është njoftuar për së afërmi nga kryeprokurorët për numrin e prokurorëve në prokuroritë që ata i drejtojnë, për rezultatet, të arriturat, sfidat dhe çështjet tjera me rëndësi.

“Gjatë diskutimeve të përbashkëta u theksua nevoja për plotësimin e vendeve të përcaktuara me prokurorë të rinj si dhe rekrutimin e stafit mbështetës në mënyrë që të avancohet efikasiteti dhe efektiviteti në trajtimin e lëndëve penale në secilën prokurori”, është thënë në njoftim.

Tutje është treguar se pjesë thelbësore e këtij takimi ishte diskutimi lidhur me rritjen e efikasitetit dhe zbatimin sa më unik të praktikave gjatë trajtimit të regjistrave penal, përkatësisht lëndëve penale nga ana e prokurorëve, dhe po ashtu trajtimi sipas afateve ligjore i ankesave të qytetarëve për rastet disiplinore ndaj prokurorëve.

Në fund të takimit thuhet se Kelmendi iu ka ofruar bashkëpunim të ngushtë të gjithë kryeprokurorëve në adresimin dhe tejkalimin e të gjitha sfidave institucionale.