Takohen Osmani dhe ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, flasin për forcimin e sigurisë në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge, të dielën më 24.11.2024, gjatë qëndrimit të saj në Halifax të Kanadasë.

“Me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Boris Ruge, diskutimet u fokusuan në rrugën e Kosovës përpara, veçanërisht në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe të ardhmes sonë euroatlantike” – njoftoi Osmani.

Bashkë me të, në takim ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Osmani e Ruge u patën takuar edhe më 20.08.2024 në Prishtinë.

Atëherë patën diskutuar lidhur me hapjen e Urës së Ibrit, me ç’rast Ruge pati thënë se vendimet rreth kësaj ure duhet të merren përmes dialogut Kosovë – Serbi.

Presidentja Osmani bashkë dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë ditës u takuan edhe me ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair.

“Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij Programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-Ministres së mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada” – njoftoi Osmani.

E para e shtetit tha se Kosova e Kanadaja kanë partneritet në rritje në dobi të qytetarëve, paqes dhe sigurisë.

Presidentja Osmani, e cila po e përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax ka zhvilluar një takim edhe me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.

Sipas saj, prania e NATO-s, përmes KFOR-it në Kosovë ka qenë gjithmonë e rëndësishme për paqen dhe sigurinë, ashtu siç do të jetë edhe anëtarësimi i Kosovës në këtë Aleancë historike.

Në takim me Admiralin Bauer, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për rolin e NATO-s në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe përkushtimin e vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.