Takohen ministrat Reka e Vitia, diskutojnë për masat ndaj COVID-19

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka pritur në  takim Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, me të cilin kanë diskutuar për punët dhe ndërveprimet e përbashkëta të institucioneve në trajtimin e parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të virusit korona COVID-19.

Siç bëhet e ditur në njoftim, Reka dhe Vitia po ashtu kanë biseduar për lirimin nga kufizimi të eksportit të pajisjeve mjekësorë.

“Ministri Reka njoftoi Ministrin Vitia lidhur me angazhimin e Komisionit Evropian për të liruar nga kufizimi eksportin e pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që të bëhet përmes transferimit të përvojës dhe furnizimi i pajisjeve dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore, pjesë e një përgjigje të përbashkët evropiane në drejtim të luftimit të pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftim.

Reka e ka njoftuar ministrin Vitia se KE është duke u konsultuar me shtetet anëtarë për përpilimin e një rregulloreje në të cilën parashihet përjashtimi i Ballkanit Perëndimor nga kufizimet e eksportit të pajisjeve mjekësore.

“Komisioni Evropian ka realizuar konsultimet me shtetet anëtare të BE-së për një rregullore për të rregulluar skemën e autorizimit të eksportit të vendosur më 15 mars si një masë emergjente që përfundon më 25 prill 2020. Propozimi mbi rregulloren e re parashikon përjashtimin e Ballkanit Perëndimor nga skema. Kjo rregullore, pritet të hyjë në fuqi më 26 prill 2020, e cila përfshinë përjashtimin e Ballkanit Perëndimor nga kufizimet në eksportet e furnizimeve mjekësore që vijnë nga BE, marrë pasur parasysh që këto vende janë angazhuar në një proces të thellë integrimi në Bashkimin Evropian”, thuhet tuje në njoftim.

Poashtu, ministri Vitia është njoftuar edhe për mundësitë e mëtejme të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të kërkesave dhe koordinimit të Kosovës me Shtetet Anëtare të BE-së për shkëmbimin e përvojave dhe ndihmave të natyrave të ndryshme në menaxhimin dhe tejkalimin me sukses të kësaj pandemie.

“Ministri Vitia shprehu falënderimin për bashkëpunimin e ndërsjellë në sfidën tonë të përbashkët në parandalimin e kësaj pandemie, si dhe kontributin e pakursyer të gjitha institucioneve vendore, shteteve anëtare të BE-së, si dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian, të cilët janë ndër mbështetësit kryesor të Republikës së Kosovës në këto ditë jo të lehtë në trajtimin e parandalimit të përhapjes të virusit korona COVID-19”, thuhet në njoftim.

Ambasadorja kroate: Vendet e rajonit lirohen nga vendimi i BE-së për kufizim të eksportit të pajisjeve mbrojtëse mjekësore