Takimi i krerëve të insitucioneve të Kosovës, Foto: Presidenca

Takohen krerët e institucioneve të Kosovës, nuk marrin pjesë liderët e opozitës

Institucionet e Kosovës kanë vazhduar koordinimin në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, në veri të Kosovës.

Zyra e Presidentes ka njoftuar se sot, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, Kryeministri Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Shwarz, si dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë realizuar takim më qëllim të vazhdimit të koordinimit ndërinstitucional në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.

Sipas njoftimit, në takim ishin të ftuar edhe liderët e opozitës të cilët nuk kanë marrë pjesë.

“Megjithatë, institucionet e vendit do të vazhdojnë kontaktet e rregullta dhe konsultimet me opozitën, me qëllim të koordinimit mbi çështje të interesit nacional. Po ashtu, do të vazhdohet koordinimi i plotë dhe komunikimi i rregullt me aleatët strategjik”, thuhet në komunikatën për media.

Qeveria e Kosovës, mbrëmë pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Qeveria ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, “në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”.

Në fshatin Rudar të Komunës së Leposaviqit janë duke u larguar barrikadat e vendosurar të cilat kishin bllokuar rrugën.

VIDEO – Fillon largimi i barrikadave në Rudar të Leposaviqit