Foto: Ministria e Mbrojtjes/Facebook

Takohen komandantët e forcave të Kosovës dhe të Shqipërisë

Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari është takuar me Komandantin e Forcave Tokësore të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral brigade Arben Kingjin.

Në këtë takim Jashari ka falënderuar Kingjin për vizitën dhe njëkohësisht i ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e tij për ngritjen e bashkëpunimit midis dy ushtrive.

Sipas një postimi nga Ministria e Mbrojtjes në takim janë diskutuar fushat e bashkëpunimit me qëllim të rritjes së numrit të aktiviteteve bilaterale mes FARSH-it dhe FSK-së duke përfshirë trajnimin, edukimin, ushtrimet e përbashkëta si dhe aktivitete të tjera me ushtritë e shteteve mike.

“Gjeneral Jashari me këtë rast ka deklaruar se Shqipëria dhe FARSH-i si anëtarë të NATO-s, janë partner i rëndësishëm i Kosovës dhe FSK-së në rrugën drejt integrimit në NATO”, është thënë në postim.

Tutje është treguar se në fund dy Gjeneralët u dakorduan se partneriteti ndërmjet dy ushtrive është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e regjionit, veçanarisht në ambientin e ndjeshëm aktual të sigurisë.