Takohen Albin Kurti dhe Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha gjatë vizitës së tij në Kosovë është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Basha pas takimit deklaroi se ka ndarë disa “orë të këndshme” më Kurtin me të cilin tha se kanë biseduar për të gjitha zhvillimet e rëndësishme ekonomike, politike dhe rajonale.

Kreu i PD-së tha se gjerësisht janë ndalur në bisedën tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19.

“Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t’u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij me Kurtin kanë dnarë të njëjtin mendim se nevojitet një intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, projekte dhe nisma konkrete, dhe jo ide që mbeten në letër.

“E sigurova zotin Kurti, se unë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit, do të jemi në krah të Kosovës, dhe maksimalisht të angazhuar për t’i ofruar çdo ndihmë, dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të saj”, thuhet në publikimin e tij.

“Theksova rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të çojë në njohjen respektive, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, ka shkruar Basha.

Basha do të qëndrojë në Kosovë, përderisa sot ka takuar përfaqësues të institucioneve dhe partive politike vendore.