Foto: ZKM

Takimi në Bruksel - temë qendrore e bisedës mes Kurtit dhe ambasadorit të Francës e atij të Gjermanisë

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në një takim të përbashkët ambasadorin e Francës Olivier Guérot dhe atë të Gjermanisë, Jörn Rohde.

Temë qendrore e këtij takimi ishin zhvillimet në takimet e djeshme të mbajtura në Bruksel.

Sipas njoftimit, Kurti ka ritheksuar se Kosova e ka dëshmuar konstruktivitetin, gatishmërinë dhe interesimin për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër dhe se për dallim nga Serbia, e konsideron si bazë të mirë propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“U theksua nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një dakordimi brenda orëve të mbetura nga afati shtesë prej 48 orësh, ashtu që përafrimi i djeshëm në Bruksel të rezultojë në pajtueshmëri të përbashkët” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kyrministrit.

Ambasadori Guerot sot u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të pranojnë propozimin për kompromis në çështjen e targave ilegale serbe, të formuluar nga Bashkimi Evropian.

Ai tutje ka shkruar se thirrja vlen veçanërisht për Kosovën.

“Franca i bashkohet thirrjeve të Bashkimit Evropian për të shmangur çdo veprim të njëanshëm që mund të nxisë tensionet. Ai u kërkon të dyja palëve, dhe në veçanti Kosovës, të pranojnë propozimin e kompromisit të formuluar nga Bashkimi Evropian” – ka shkruar ai në Twitter.

Ky reagim vjen një ditë pas takimit trepalësh në Bruksel i cili përfundoi pa marrëveshje për çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë dje se BE ka dhënë një propozim i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në anën tjetër, Kurti pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se  Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Mbrëmë pak pas mesnatës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë fillimin e shqiptimit të gjobave për qytetarët që përdorin targa ilegale të automjeteve, si fazë e dytë e vendimit qeveritar për këtë çështje.

Kryeministri Kurti u lajmërua pak minuta më vonë dhe tha se e pranon propozimin e ambasadorit amerikan.