Takimi mes punëtorëve e menaxhmentit të Aeroportit pa rezultat, të dielën sërish grevë

Gjatë ditës së sotme, menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinës është takuar me Sindikatën e Punëtorëve të cilët për tri ditë protestuan para ndërtesës së Aeroportit gjatë kësaj jave.

Por sindikalistët e Aeroportit nuk janë ndarë të kënaqur me kushtet që menaxhmenti u ka ofruar atyre në këmbim të ndërprerjes së grevës.

Ata kanë paralajmëruar që greva të vazhdojë të dielën në ora 07:00 në mëngjes.

KALLXO.com, ka kontaktuar edhe me Kryetarin e Sindikatës së punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Bashkim Latifi i cili tha se nga pesë kërkesa sa i kanë gjithsej vetëm në njërën prej tyre i është ofruar një mundësi, atë të nivelizimit të pagave.

“Ne jemi në termin të grevës. Kemi dashtë me ba një zgjidhje por pa kurrgjë na nuk ndaleni. Na kanë ofru diçka po nuk jemi të kënaqur. Na të dielen jemi në grevë. Nuk pajtohemi me ofertën që na kanë ofru. Është diçka që nuk është e rregullt. Ata na kanë ofru vetëm në një pikë atë të nivelizimit të pagave dhe ne nuk kemi qenë dakord. Nëse nuk na e plotësojnë të gjitha kërkesat ne nuk do të ndalemi”, tha ai Latifi për KALLXO.com.