Takimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta në Kosovë, më 25 nëntor 2021, Foto: Kuvendi i Kosovës

Takimi me Metën, Konjufca: E ardhmja e Kosovës është në BE dhe NATO, jo në iniciativat rajonale të Serbisë

Kryetari i Kuvendit Kosovës, Glauk Konjufca gjatë takimit presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta i cili po qëndron në Kosovë, ka thënë se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfshirjes së Bashkimit Evropian.

Konjufca ka kundërshtuar sërish nismen “Open Ballkan” të iniciuar nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

“Për Republikën e Kosovës janë të papranueshme iniciativat e Serbisë, sikur i ashtuquajturi “Ballkani i Hapur”, që synojnë të anashkalojnë Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. E ardhmja e shtetit tonë dhe e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Kurse, presidenti Meta konfirmoi zotimin se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të Kosovës.

Siç njofton legjislativi kosovar, në këtë takim ndër të tjera, u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, zhvillimet në rajon dhe procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

“Kreu i Kuvendit falënderoi presidentin Meta për kontributin e madh të shtetit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe përkrahjen e vazhdueshme në proceset e saj të shtendërtimit. Kryetari Konjufca dhe presidenti Meta ritheksuan nevojën e bashkëpunimit intensiv dhe bashkërendimit më të ngushtë të politikave zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë në të ardhmen.”, thuhet në komunikatë.

Presidenti shqiptar Ilir Meta po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Ai sot ka nisur takimet me përfaqësues politik dhe institucional të vendit.