Foto: ZKM

Takimi Kurti - Lajçak, Qeveria tregon detajet e takimit

Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas njoftimit të Qeverisë, temat kryesore të takimit ishin mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë dhe çështje tjera aktuale.

Në njoftim thuhet se, Kurti ka njoftuar Lajçak që Qeveria është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Më tej, në komunikatë thuhet se kryeministri Kurti e ka falënderuar Lajçak për angazhimin e tij në dialog, ndërsa ritheksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër.

Lajçak pas takimit me kryeministrin Kurti, para mediave ka deklaruar se pas një kohë të gjatë ka ardhur në Kosovë jo për të zgjidhur kriza por për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.

“Jam këtu për të kthyer diskutimin në çështjen e normalizimit dhe për t’i diskutuar hapat e tjerë në proces, i cili është bazuar në letrën që e kam prezantuar më 9 shtator. Ne po punojmë në drejtim të takimit të radhës të nivelit të lartë, i cili do ta adresojë normalizimin dhe ne duam që ky takim të zhvillohet brenda javëve, unë mund të vij së shpejti që të sigurohem se përgatitjet po shkojnë mirë, nuk duhet humbur kohë” – tha Lajçak.

Ndërkaq nga Samiti i BE-së në Tiranë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell njoftoi se

propozimi final nga Bashkimi Evropian iu është dërguar dje Prishtinës dhe Beogradit.

“Ky është një moment i rëndësishëm, mosmarrëveshja për targat ka përfunduar tashmë duhet të angazhohen në mirëfilljen në dialog me propozimin që është hedhur në tryezë me mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe Francës dhe i fundit i është dërguar dje edhe Beogradit dhe Kosovës dhe tashmë janë ata që duhet të nisin diskutimet serioze sepse është një moment kur ka një mundësi të madhe” – tha Borrell.

Ai shtoi se nuk mund të tregojë detaje në lidhje me përmbajtjen e dokumentit.

Ndërsa zëvendëskryeministri Bislimi e ka konfirmuar se tashmë kryeministri Kurti ka pranuar propozimin franko-gjerman.

Propozimi franko-gjerman është përmendur që pas takimit të këshilltarëve të presidentit francez, Macron dhe atij gjerman Scholz me kryeministrin Kurti në Kosovë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri Kurti vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë që propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania të vendoset në tryezë të diskutimeve.

Besnik Bislimi: Kurti sot ka pranuar planin për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë