Albin Kurti dhe Gabriel Escobar, Foto: ZKM

Takimi Kurti-Escobar, ZKM: Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka thënë se në takimin mes shefit të Qeverisë, Albin Kurti dhe të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, është diskutuar për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pritet të takohen nesër në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim” – thuhet në njoftim të ZKM-së.

Zyra për medie e Qeverisë vlerësoi edhe njëherë propozimin e Bashkimit Evropian, i njohur në opinion si propozimi franko-gjerman, për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë” – thuhet në njoftim.

Optimist për hapa pozitiv u shprehë edhe vetë Gabriel Escobar gjatë një konference që ai mbajti së bashku me presidenten, Vjosa Osmani.

Porositë dhe pritjet e Amerikës për takimin e Ohrit

www.kallxo.com