Takimi i sotëm Kurti - Vuçiq në Bruksel, kjo është agjenda

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot pritet të zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të ndara me liderët, duke filluar nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesja e Lartë. Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt.

Sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.

Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai tha se plani evropian është i tipit merre ose lëre. “Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është i hartuar nga BE, palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe nuk shohim asnjë arsye e as gjasa për negociata, ne besojmë vërtet se është plani që trajton çështjen që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm’ deklaroi Lajçak.

Para se të shkoi në kryeqytetin evropian Bruksel, për takimin e radhës me presidentin serb Vuçiq, kryeministri Kurti, ka thënë se statusi aktual i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë, me njohjen reciproke si thelb dhe reciprocitetin si princip.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i ka thënë të dielën presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Chollet i ka thënë edhe Kurtit një ditë më parë se tani është koha që të diskutohet për Asociacionin. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Kryeministri Kurti, të dielën ka pranuar një letër të përbashkët edhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e sotëm në Bruksel dhe propozimin Evropian.

Në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se të hënën nuk do të ketë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe kjo nuk do të jetë më fare temë e diskutimi. Kurse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se marrëveshja përfundimtare në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve./RTK