Takimi Kurti-Vuçiq në qershor 2021, Foto: Twitter

Takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit pritet të mbahet në javën e tretë të gushtit

Një takim i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të mbahet në javën e tretë të gushtit.

Në një prononcim për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe sipas tij nëse do të ketë një takim të radhës, ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji. Kurse, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se takimi në Bruksel është thirrur të mbahet më 18 gusht.

“Kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të përgatitur mirë dhe për çështje bilaterale. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe nëse do të ketë një takim të radhës, ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji”, tha Kryeziu.

Gatishmërinë për të u takuar në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, e kishte shprehur kreu i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti të hënën në një konferencë për media.

Kurti ka thënë se është i gatshëm të takohet në Bruksel kurdo që i thërret zëvendës presidenti i Komisionit Evropian Joseph Borrell.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, zëvendës presidenti i Komisionit Evropian, Joseph Borrell do të shkojë në Bruksel”, kishte deklaruar Kurti.

“Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston, ne kemi qenë përherë të përkushtuar”, shtoi ai.

Kurti ndër të tjera ka theksuar se me Vuçiqin është dashur të takohet më 19 korrik por që sipas tij presidenti serb “mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi të dielën”.

“Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi më 19 korrik, por ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për fund të muajit gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje sepse ne është dashtë të takohemi me 19 korrik”, tha Kurti.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha dje se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Brukselit që më 18 gusht të mbahet rundi i ri i dialogut me Kosovën, por tha se ai nuk e di “se për çfarë tjetër mund të flasim”.

“Gjithçka është konsumuar dhe ju më nuk e dini se çfarë mund të bëni. Unë do të shkoj, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me Kurtin ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, tha Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë.

Në anën tjetër BE ka thënë se po e përcjellin me shqetësim situatën në veri të Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano tha se pas zhvillimeve në veri të vendit, kur Kosova pranoi kërkesën për të shtyrë masat e planifikuara, BE ka ftuar të dyja palët të takohen në Bruksel.

“Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Joseph Borrell dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe letërnjoftimet, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, ka deklaruar Stano.

Ndryshe, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë, dhe të dy takimet nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Takimi i tyre i fundit është zhvilluar në korrik të vitit 2021.

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.