Kryeministri Albin Kurti dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak - Foto: ZKM

Takimi i paparalajmëruar Kurti-Lajçak, Qeveria jep detaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në një takim të paparalajmëruar përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas një njoftimi të Qeverisë, gjatë takimit është potencuar vullneti dhe gatishmëria e Kosovës për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar.

Nga një dialog i tillë, në njoftim është thënë se do të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër” – thuhet tutje.

Gjithashtu, në njoftim është thënë se në takim është biseduar për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovës dhe Serbisë.

Pas këtij takimi, Lajçak citohet të ketë thënë se janë duke u bërë përgatitjet për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Takimi i radhës do të mbahet posa të përfundojnë përgatitjet, kjo është një nga qëllimet që jam këtu sot, duam të sigurohemi që takimi do të ketë substancë dhe do të prodhojmë diçka. Gjëja e rëndësishme është që liderët janë gati të takohen, BE është e gatshme të jetë nikoqire, por jemi duke përgatitur agjendën” – tha Lajçak pas takimit të sotëm të paparalajmëruar me kryeministrin Kurti.

Lajçak tha që nuk do të vonohen 13 muaj për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë.

“Nuk do të marrë 13 muaj, ju siguroj, nëse do të jetë në shtator nuk jam i sigurt, për shkak të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe unë do të jem në New York, presidenti Vuçiq do të jetë atje dhe ne jemi duke punuar për datën dhe agjendën” – tha ai.

Lajçak tha që pas Prishtinës do të udhëtojë në Bruksel, ndërsa javën e ardhshme do ta takojë Vuçiqin në New York.

Lajçak qëndroi të premten në Kosovë së bashku me Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarët për Polikë të Jashtme dhe Siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

18 gushti ka qenë data e fundit kur në Bruksel, pas më shumë se një viti pa takime, janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas këtij takimi i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar tha që palët kanë rënë dakord të takohen në baza mujore.

“Një nga rezultatet është se të dy liderët u pajtuan të takohen në baza mujore, dhe më duhet të them se takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq ka qenë shumë i mirë, dhe profesional. Mendoj se mund ta shohim fillimin e një raporti të përmirësuar mes të dyve” – ka thënë Escobar në një intervistë për N1.

Takimi i 18 gushtit ka qenë takimi i 3-të i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.