Takim Sveçla - Lumezi, koordinohen për masat në parandalimin e COVID-19

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka pritur në takim kryeprokurorin e shteti, Aleksandër Lumezi.

Ky është takimi i parë publik ndërmjet një zyrtari të Vetëvendosjes dhe Kryeprokurorit të Shtetit, Lumezi.

Takimi, siç u tha në njoftimin për media, ishte për koordinim dhe angazhim për zbatimin e masave të marra nga qeveria e vendit për parandalimin e COVID-19.

“Në këtë takim u bisedua për situatën e krijuar pas përhapjes së virusit global, Covid 19, si dhe për masat e  angazhimet që janë duke u bërë nga institucionet e Republikës së Kosovës, në parandalimin e përhapjes së këtij virusi”, thuhet në njoftim.

“Me këtë rast, z. Sveçla kërkoi bashkëpunim nga organet e drejtësisë gjegjësisht të prokurorisë në kontekstin e marrjes së veprimeve ligjore për të gjithë shkelësit e masave dhe kufizimeve që janë marrë deri më tani nga Qeveria e Kosovës, e të cilat janë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe kontribuojnë në parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit Covid 19”, thuhet tutje në njoftim.

Kryeprokurori Lumezi i premtoi u.d. ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike angazhim të plotë të institucionit të prokurorisë.

“Në anën tjetër, Kryeprokurori Lumezi e siguroi ministrin se Prokuroria e Shtetit do të jetë në dispozicion dhe do bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike por edhe me qytetarët në mënyrë  që kjo situatë e rëndë të tejkalohet sa më lehtë të jetë e mundur”, njofton MPBAP.

“Gjithashtu, Kryeprokurori theksoi se është e domosdoshme të respektohen vendimet dhe udhëzimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, vendime këto që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik dhe janë në të mirën e qytetarëve”, njofton komunikata për media.