Tajlanda e ndalon partinë që i fitoi zgjedhjet

 

Një gjykatë tajlandeze ka urdhëruar shpërbërjen e partisë reformiste, që fitoi shumicën e mandateve dhe votave në zgjedhjet e vjetme – por që ishte bllokuar në përpjekjen e saj për formimin e qeverisë, ka raportuar BBC.

Me verdiktin e drejtësisë së shtetit aziatik është ndaluar edhe aktiviteti politik i liderit të ri karizmatik të Lëviz Përpara, Pita Limjaroenrat, dhe i dhjetë figurave të tjera të larta politike për dhjetë vjet me radhë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u prit pasi në vendimin e janarit u konsiderua jokushtetues premtimi i kësaj lëvizjeje politike në fushatë për të ndryshuar ligjet kundër shpifjes ndaj mbretërisë.

Gjykata kishte vlerësuar se përpjekja për ndryshim të madh në të vërtetë ishte thirrje për shkatërrim të rendit kushtetues monarkik.

Verdikti i së mërkurës shërben si shenjë e fortë sesi institucionet e pazgjedhura me votë janë në gjendje të ruajnë pushtetin dhe statusin e monarkisë.

Por vendimi i drejtësisë nuk nënkupton fundin e lëvizjes reformiste në politikën tajlandeze. 142 deputetët e tjerë të Lëviz Përpara pritet të transferohen në një parti tjetër të regjistruar dhe të vazhdojnë rolin e tyre si opozita më e madhe në parlament.

Ky është një vendim pak a shumë i ngjashëm me atë të vitit 2020 kur Partia e së Ardhmes, që gjithashtu kishte dalë papritmas mirë në zgjedhje, gjithashtu ishte shpërbërë, dhe e kishte transferuar vetën në Partinë Lëviz Përpara.

Vendimi i para katër vjetëve shkaktoi protesta të mëdha në rrugë, të prira prej aktivistëve të gjeneratës së re studentore, duke zgjatur gjashtë muaj. Ato shprehën kërkesat e papritura që monarkia të japë më shumë llogari para qytetarëve.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com