Tahiri - Vuçiqit: Si duket ju paska marrë malli për bombardimet e NATO-s

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka reaguar në lidhje me publikimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili në rrjetin social Instagram, e ka publikuar një fotografi me hartën e Kosovës dhe flamurin serb në të.

Tahiri ka shkruar në Facebook se Vuçiq ka dalë me provokime njëherë edhe gjatë dialogut mes të dyja vendeve.

“Vuçiçi i Serbisë paska dalë me provokime të reja kundër Kosovës, me mendësinë e tij hegjemoniste. Një herë në Dialogun e Brukselit kur ai provokoi në një mënyrë të ngjashme, iu përgjigja duke i thënë ‘si duket ju paska marrë malli për bombardimet e  NATO-s’. Po ia them përsëri!”, thuhet në publikimin e saj.

Ndaj publikimit të presidentit serb Vuçiq, sot ka pasur reagime edhe nga politikanë shqiptarë nga rajoni.

Në lidhje me publikimin e presidentin serb, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës, Zyrën e Presidentit të Kosovës dhe në Bashkimin Evropian për të marr reagime, dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.