Tahiri thotë se janë anagazhuar 't'i ndalin projektet e dëmshme të Qeverisë Kurti'
Pas përmbylljes së sesionit pranveror të punës së Kuvendit të Kosovës, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se ky sesion ishte periudhë e fitoreve të betejave kushtetuese të PDK-së në mbrojtje të interesit publik dhe vlerave të shtetit demokratik.
Tahiri tha se si grup parlamentar janë angazhuar në vazhdimësi që të ndalin projektet dhe iniciativat, si i quan ai “të dëmshme të Qeverisë Kurti’.
“Sesioni pranveror ka filluar në fund të janarit të këtij viti me mbi 30 pika të papërfunduara të sesionit vjeshtor dhe po ashtu po e mbyllim këtë sesion me diku 30 pika të papërfunduara. Kjo tregon për efikasitetin e punës së këtij Kuvendi”- tha ai.
PDK i ka cilësuar fitore të fuqishme anulimin e Ligjit për Byronë Shtetërore dhe për ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil.
Arritje tjetër kanë konsideruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Për ta, tjetër arritje është themelimi i katër Komisioneve Hetimore, atë për shlyerjen e borxheve milionëshe ambalazhuesve të ujit nga Ministria e Mjedisit, për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe zjarret në IML, për kontratat njëburimore nëpër ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore, për subvencionimin e teksteve shkollore.
Ndër tjera, Tahiri tha se gjatë këtij sesioni PDK ka iniciuar disa debate parlamentare, atë për arratisjen e personave të dënuar, atë për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për emigrimin e qytetarëve nga Republika e Kosovës, për tërheqjen e tri projektligjeve kundërkushtetuese nga shqyrtimi në Kuvend, si dhe për shkarkimin e Bordit të RTK-së.
Gjatë këtij sesioni, Kuvendi më 01.08.2024, deklaroi se ka mbajtur gjithsej 22 seanca, gjatë të cilave ka miratuar 36 ligje, përfshirë këtu marrëveshjet ndërkombëtare. Po ashtu, Kuvendi njofton se gjatë kësaj kohe kanë miratuar shtatë deklarata, gjashtë rekomandime, një rezolutë dhe një statut.
Ndërsa sipas rolit të tij mbikëqyrës njofton se ka adresuar 110 pyetje për anëtarë të kabinetit qeveritar, janë mbajtur 12 mbledhje të Kryesisë, në të cilat janë marrë 138 vendime, janë nxjerrë 17 përfundime dhe janë miratuar tri rregullore të brendshme.
Kurse për komisionet parlamentare Kuvendi njofton se kanë mbajtur gjithsej 185 mbledhje, duke u propozuar seancës për shqyrtim 43 projektligje dhe 736 amendamente.
Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione, në sesionin pranveror dhe në sesionin vjeshtor. Sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, ndërsa sesioni vjeshtor të hënën e dytë të muajit shtator.