Tahiri: Të mërkurën votohet Trust-i

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Albelard Tahiri, ka njoftuar që të mërkurën më 22 qershor Kuvendi i Kosovës e ka në rend dite draft ligjin për mundësinë  e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve të qytetarëve në fondin pensional.

Tahiri tha kjo kërkesë e qytetarëve që vjen pikërisht në kohën kur vendi po ballafaqohet me rritje të madhe të çmimeve të secilit produkt esencial, derivateve e energjisë elektrike.

“Ky draft ligj prek rreth 695 mijë qytetar kontribuues. Pozita në këtë rast besoj se do të reflektoj dhe t`i marrë parasysh kërkesat e qytetarëve”, tha ai duke shtuar se ngritje të pagave nuk ka si dhe as masa të qeverisë.

Tahiri tha se e kanë parë të arsyeshme ta ndërmarrin një iniciativë të tillë dhe beson që deri në ditën kur të votohet pozita të reflekton.

Tahiri ka përmendur edhe çështjen e veteranëve të cilët tha se do të vazhdojnë ti mbështesin.

“Të lihen jashtë pagës minimale kategoria më e ndjeshme në vendin tonë është e pa pranueshme. Në asnjë rrethanë nuk duam që veteranët ti shndërrojmë në kauzë politike, shpresojmë që veteranët ta bashkojnë pozitën e opozitën”, tha Tahiri.

Tahiri shtoi se shpreson që dialogu mes tyre të përfundoj me një marrëveshje që t`i gjej të kënaqur veteranët.

“E inkurajomë qeverinë që t`i merr parasysh kërkesat e veteranëve”, tha ai.

Tahiri tha se do t`i procedojnë sot amandamentet të cilat ua mundësojnë që ky pension i veteranëve të jetë në nivelin e pagës minimale.

Sa i përket pengimit të mbajtjes së seancës, Tahiri tha se çfarë kanë bërë janë mjete demokratike.

“Ne nuk largohemi nga Kuvendi këtu e bëjmë betejën. Janë demokratike duke i krahasu me të kaluarën gjitha këto janë simbolika që nuk duhet të vazhdohet më tutje përderisa ka dhunim të drejtave të një kategorie siç është kategoria e veteranëve të UÇK-së”, përfundoi ai.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës, për shkak se pensionet e tyre nuk janë përfshirë në Ligjin pë Pagën Minimale.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar se nuk do të ndalen duke protestuar dhe sipas tij nëse ky ligj nuk tërhiqet nga Qeveria, do ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

OVL-UÇK paralajmëron protestë në tenda dhe dërgim në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit për Paga